E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-Presidenti francez del nga burgu i La Santé dhe kthehet në shtëpi, i ndalohet udhëtimi jashtë Francës dhe kontakti me ministrin Darmanin

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, doli nga burgu i La Santé në Paris rreth orës 3 të pasdites, pas vetëm 21 ditësh paraburgim, ku ishte vendosur pas dënimit me pesë vjet burg në lidhje me çështjen e fondeve të supozuara libiane.

Sarkozy, i cili u bë ish-kreu i parë i një shteti të BE-së që burgoset, u largua me një makinë me xhama të errët nën shoqërimin e policisë.

Vendimi i Gjykatës: Lirim me kusht

Gjykata vendosi të miratojë kërkesën për lirim me kusht të ish-Presidentit, duke argumentuar se “nuk ka rrezik për manipulim të provave, presion ose bashkëpunim”.

Zyra e Prokurorit, gjithashtu, kishte mbështetur lirimin, duke theksuar se vendimi duhet të udhëhiqet vetëm nga kriteret ligjore.

Megjithatë, Gjykata urdhëroi një mbikëqyrje gjyqësore për Sarkozynë, e cila përfshin:

  • Atij i ndalohet largimi nga Franca.
  • I ndalohet kontakti me Ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, i cili e kishte vizituar në burg më 29 tetor.

“Një makth rraskapitës”

Gjatë seancës dëgjimore për lirimin, ish-presidenti Sarkozy theksoi se kurrë nuk kishte kërkuar fonde nga Libia e Muamar Gadafit. Ai rrëfeu përvojën e tij të vështirë:

“Nuk mund ta kisha imagjinuar të arrija moshën 70 vjeç për të përjetuar burgun. Kjo përvojë e vështirë më u imponua: e kam jetuar. Është e vështirë, shumë e vështirë… Është rraskapitëse, një makth.”

Sarkozy u dënua nga një gjykatë e shkallës së parë në shtator, pasi u shpall fajtor për përpjekjen për të siguruar fonde nga Libia për fushatën e tij zgjedhore të vitit 2007. Gjykata e Apelit e Parisit pritet të shqyrtojë thelbin e kërkesës së tij në një datë të mëvonshme.

View this post on Instagram

A post shared by RadioTelevizioni Shqiptar (@rtshqiptar)

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›