E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-Presidenti i Çekisë që la gjurmë në politikën europiane

“Politika dhe Ndërgjegjia”, është ekspozita e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog, ku shfaqen 20 foto nga jeta politike e Vaclav Havel, Presidentit të parë të Republikës çeke.

I konsideruar si një prej politikanëve, idetë e të cilit u kthyen në frymëzim për gjithë Europën, Havel nuk kurseu asgjë nga jeta e tij për të përçuar demokracinë dhe mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ambasadorja e Çekisë në Tiranë, Bronislava Tomasova, e personifikon Havel si njeriun e vlerave.

Tomasova: “Vaclav Havel është një artist dhe shkrimtar me vlera. Ka një vend të veçantë te shqiptarët për shkak kontributit të tij për Kosovën. Unë përfundoj së shpejti misionin tim në Shqipëri dhe është nder për tu përshëndetur me këtë vend me disa aktivitete në nder të Havel”.

Një prej bashkëpunëtorëve të tij më të mirë, Michael Zantovsky, në një diskutim të moderuar nga gazetarja Ilva Tare, rrëfeu përpjekjet e Vaclav Havel për të mposhtur frikën e komunizmit te populli çek dhe për të instaluar demokracinë.

Duke folur për zhvillimet politike botërore, dhe më konretisht në SHBA, Zantovsky tha se ka pak pritshmëri nga Donald Trump.

Zantovsky: “Nuk mund të spekuloj, por Havel ishte tolerant dhe nuk mendoj se do të ishte shumë i impresionuar nga retorika e Donald Trump në fushatë. Mendoj se ai do të thoshte se Donald Trump kam për të dhënë përfitimet e dyshimit sepse ai sapo ka filluar dhe ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë, por personalisht nuk kam shpresa të mira”.     

Drejtori ekzekutiv i librarisë “Vaclav Havel”, po ashtu autori i librit “Havel a book”, Michael Zantovsky, i pyetur mbi atë se çfarë përcaktimi preferonte të quhej Vaclav Havel, ai e konsideron atë njeri të shumë fushave dhe roleve, por modest.

Zantovsky: “Ajo që më bënte përshtypje të Havel ishte fakti se ai ishte i përfshirë në shumë fusha, pra kishte disa role. Shumë prej nesh, në zyrë jemi shef, në shtëpi bashkëshort, dhe për këtë ndryshojmë edhe sjelljet tona. Ndërsa Havel ishte një ndër të paktën njerëz që kam takuar i cili nuk ishte i tillë. Ai ishte gjithmonë i njëjti person, modest”.

Aktivitetet në nder të Presidentit të parë të Republikës së Çekisë do të vijojnë gjatë gjithë javës. 

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›