Ish-gjyqtari i Lartë, Shkëlzen Selimi, shpallet i pafajshëm nga akuza për deklarim të rremë pasurie

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të hënën të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, lidhur me akuzën për “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Vendimi i marrë nga trupi gjykues me gjyqtare Rudina Palloj, argumenton se “fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë”. Kjo do të thotë se gjykata nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Historia e akuzave dhe oroceseve gjyqësore
Kjo çështje ishte dërguar për gjykim nga SPAK, pasi hetimet kishin përfunduar lidhur me pretendimet për deklarim të rremë pasurie nga ana e Selimit. Akuzat erdhën pas një procesi të gjatë dhe të ngatërruar ligjor për ish-gjyqtarin.
Shkëlzen Selimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në korrik të vitit 2018, kryesisht për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe fshehjen e këtyre kontakteve. Vendimi i KPK-së u la në fuqi nga Kolegji i Apelimit me vendim të formës së prerë në shkurt të vitit 2019.
Në kuadër të zbatimit të ligjit anti-mafia, SPAK i ka sekuestruar Selimit edhe ½ e një karburanti në Shëtitoren Lungomare në Vlorë. Ky karburant, i blerë nga Selimi në vitin 2013 për 250 mijë euro, nuk kishte qenë objekt diskutimi gjatë procesit të Vetingut, pasi shkarkimi i tij ishte bazuar në pastërtinë e figurës dhe jo në problemet me pasurinë.
Selimi kishte pretenduar si burime për blerjen e karburantit një kredi me vlerë 6.6 milionë lekë, shitjen e një apartamenti dhe një garazhi në Vlorë me çmim rreth 79 mijë euro, si dhe kursimet e tij me vlerë rreth 20 mijë euro. Karburanti ishte dhënë me qira për rreth 60 mijë USD në vit.
Kundër këtij vendimi të pafajësisë, Prokuroria e Posaçme ka të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Afati për ankim është 15 ditë, duke filluar nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
/rtsh.al/