Ish-kryeministri kroat, Sanader dënohet me 10 vjet burg
Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është dënuar me 10 vjet burgim dhe me kthimin e pasurive të fituara ilegalisht. Sipas aktakuzës, Sanader, në kohën kur ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme, më 1994, ka marrë nga banka Hypo një komision prej 3,600,000 kunash (rreth 480,000 euro) në kredinë që banka ka dhënë për pajisjen e ambasadave kroate dhe në këmbim i ka mundësuar bankës që të ketë pozitë të privilegjuar në tregun kroat.
Sanader po ashtu është ngarkuar me akuzat se ka marrë ryshfet prej 10 milionë eurosh për të transferuar të gjitha të drejtat menaxhuese të kompanisë kroate të naftës INA te bashkëpronari hungarez, që është kompania MOL.
MOL nuk ka shumicën e aksioneve dhe prokuroria ka konstatuar se Sanader ka tradhtuar interesat kombëtare. Sanader ka qenë kryeministër i Kroacisë nga viti 2003 deri më 2009.
20 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ish-kryeministri kroat, Sanader dënohet me 10 vjet burg burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip