E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ish-presidenti francez Sarkozy përballet me burgim në rastin e financimit të fushatës

Nikolas Sarkozy, i cili udhëhoqi Francën në periudhën nga 2007 deri në vitin 2012 ka mohuar fuqishëm akuzat gjatë seancave gjyqësore të mbajtura në maj dhe qershor.

Ai akuzohet se ka shpenzuar pothuajse dyfishin e shumës maksimale ligjore prej 22.5 milionë euro në fushatën tij për t’u rizgjedhur, të cilën e humbi nga socialisti Francois Hollande.

Ish-presidenti francez Sarkozy po përballet me një dënim të mundshëm me burg në një vendim që do të merret sot në lidhje me financimin e fushatës së tij të pasuksesshme për t’u rizgjedhur në vitin 2012, vendim ky që vjen shtatë muaj pasi ai u dënua në një rast korrupsioni dhe ndikimi të tregtisë.

Prokurorët kanë kërkuar një dënim me 6 muaj burg si dhe një dënim me kusht prej 6 muajsh dhe një gjobë prej 3.750 euro.

Vendimi i së enjtes vjen pasi Sarkozy, 66-vjeç, u shpall fajtor më 1 mars për korrupsion dhe ndikim të tregtisë në një rast tjetër. Ai u dënua me një vit burg dhe dy vite me kusht në këtë rast, por është i lirë në pritje të apelit.

Në rastin e financimit të fushatës, prokurorët arritën në përfundimin se Sarkozy e dinte disa javë para zgjedhjeve të vitit 2012 se shpenzimet e tij, të cilat janë rreptësisht të kufizuara sipas ligjit francez, po i afroheshin maksimumit ligjor. Ai u akuzua se kishte injoruar dy shënime nga kontabilistët e tij që paralajmëronin për çështjen e parave.

Prokurorët argumentuan se Sarkozy është “personi i vetëm përgjegjës për financimin e fushatës së tij” dhe se ai zgjodhi të tejkalojë kufirin duke organizuar shumë tubime, përfshirë ato gjigante.

Gjatë seancës së tij, Sarkozy i tha gjykatës se paratë shtesë nuk shkuan në fushatën e tij, por përkundrazi ndihmuan që njerëzit e tjerë të pasuroheshin. Ai mohoi çdo “qëllim mashtrues”. Ai këmbënguli se nuk merrej me organizimin e përditshëm sepse kishte një ekip për ta bërë këtë dhe për këtë arsye nuk mund të fajësohej për shumën e shpenzimeve.

Përveç ish-presidentit, 13 persona të tjerë dolën në gjyq, përfshirë anëtarët e partisë së tij konservatore republikane, kontabilistë dhe krerët e grupit të komunikimit të ngarkuar me organizimin e tubimeve, Bygmalion. Ata përballen me akuza përfshirë falsifikim, shkelje të besimit, mashtrim dhe bashkëpunim në financimin e paligjshëm të fushatës.

Disa kanë pranuar shkeljet dhe kanë detajuar sistemin e faturave të rreme që synonin të mbulonin shpenzimet e tepërta.

Prokurorët kanë kërkuar kryesisht dënime me kusht dhe deri në një vit burg për bashkëthemeluesin e Bygmalion.

Sarkozy u tërhoq nga politika aktive në vitin 2017, por ende luan një rol në prapaskenë. Mediat franceze kanë raportuar se ai është i përfshirë në procesin e zgjedhjes së një kandidati konservator përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë vitin e ardhshëm./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›