E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekuruit 23 ditë grevë, gazetarët protestë tek Kryeministria

TIRANË- Ish-të burgosurit politikë hynë sot në ditën e 23-të të grevës së urisë, e cila po zhvillohet në dy çadra të improvizuara në zonën e 'Komunës së Parisit'. Ditët u bënë të vështira pas vendimit ekstrem që morën dy ditë më parë, për të mos konsumuar as ujin. Vendimi i tyre erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policisë në tendë duke i larguar pijet. Pas 24-orë nga vendimi i shpalljes së grevës së vdekjes, pasi ndërprenë uji, grevistët iu rikthyen konsumimit të ujit, pasi sic thanë ata, e kanë të nevojshmë për ilaçet që konsumojnë.

Dje greva u trondit nga deklaratat e koordinatorëve. Duket se mes grevistëve pati grindje. Koordinatori i grevës, Asllan Patrioti deklaroi fillimisht tërheqjen nga greva, por pas 1 ore deklaroi se nuk do të tërhiqej dhe se do të vijonte të mbronte interesat e grevistëve deri në fund. Asllani tha se uria, etja ka krijuar një situatë të vështirë dhe mendore tek grevistët dhe tek koordinatorët, ndaj këto situata duhen mirëkuptuar. 

Grevistët kërkojnë dëmshpërblim për vitet e burgut, kryer në kohën e diktaturës. Para pak ditësh 2 prej grevistëve ndërmorën akt ekstrem, tentativë vetëflijimi me vetëdjegie publike.

Ata theksojnë se greva nuk do të ndalet derisa në momentin që qeveria do të plotësojë kushtet e tyre, që sic ripërsërisin ata, nuk janë politike. Ish-të përndjekurit kanë preferuar të marrin mjekim vetëm në mjediset e grevës. Ndërsa prej disa ditësh, forca të shumta të policisë mbajnë të rrethuar zonën ku zhvillohet protesta. Një gardh i uniformave blu nuk lejon askënd të takojë grevistët, as familjarët e tyre. 

Gazetarët, sot protestë para kryeministrisë
Në grup gazetarësh lajmëruan dje do të tubohen sot para godinës së Këshillit të Ministrave, në shenjë proteste për mos reagimin ndaj kërkesave të ish-të burgosurve politikë të ngujuar prej më shumë se dy javësh në grevë urie. Ata kanë kërkuar që edhe qytetarët t’i mbështesin në protestën e tyre. Në këtë tubim gazetarët do të protestojnë edhe për moslejimin e ushtrimit të profesionit të tyre nga ana e forcave të policisë që sigurojnë mbarëvajtjen e grevës së urisë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›