E Diel, 1 Nëntor 2026

“Isha 30 metra larg nga efektivët, po qëndroja pa asnjë reagim” – Flet 28 vjeçari që u godit në sy nga policia: E kam ende plumbin e gomës, ndjej shumë dhimbje

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që pësoi dëmtime në sy për shkak se u godit me plumb gome nga policia gjatë protestës së djeshme studentore, ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja.

Erjon Vishkulli

Ai ka rrëfyer se plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë, ndërsa tregoi se nuk po bënte asnjë veprim kur është qëlluar nga policia gjatë protestës, që sipas të cilit, ishte 30 metra larg.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai për Top Channel.

28-vjeçari tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm, ndërsa shton se me ndihmën e një shoku është transportuar me makinë drejt spitalit. I riu tregon se ka ende shumë dhimbje në sy.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai.

Ai pritet që të niset drejt Italisë për kujdes për të specializuar mjekësor.

Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.

“Vetëm fitore”, thotë ai.

Gazetari: Çfarë do të thotë kjo?

“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›