E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, arratisen shqiptarët, njëri i dënuar me burg të përjetshëm

ITALI - Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve i dënuar me burg të përjetshëm, janë arratisur ditën e sotme nga burgu i Parmës në Itali. Personeli i burgut e ka vënë re mungesën e dy shqiptarëve, vetëm pasi kanë bërë apelin e mëngjesit.

Sipas policisë italiane, të burgosurit e arratisur janë Taulant Toma 29 vjeç me precedent penal për vjedhje dhe trafik droge dhe 35-vjeçari Valentin Frrokaj, i dënuar për vrasjen e një 23-vjeçari shqiptar në vitin 2007.

Toma ishte dënuar deri në vitin 2022, ndërsa Frrokaj me burgim të përjetshëm. Kuestura e Parmës ka shpjeguar se të dy ia kanë mbathur në mënyrën më klasike, pasi kanë prerë hekurat e qelisë dhe pastaj janë varur me litarë. Po vijojnë kërkimet në të gjithë territorin e Italisë nga të gjitha forcat e policisë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga sekretari i Shtetit Giovanni Battista Durante. "Sigurisht, vëmendja e ulët kohët e fundit mbi sigurinë në burgje sjell edhe episode të kësaj natyre”, ka thënë ai.

Sipas policisë italiane, Valentin Frrokaj vrau para 5 vjetësh Leiton Llahon 23 vjeç, në një zonë të Breshias. Pasi e kishte goditur me thikë Llahon, Valentin Frrokaj e kishte braktisur të gjakosur dhe pas 10 ditësh ai vdiq në spital. Një muaj më pas 35-vjeçari u ndalua në Liguria, ndërsa po i drejtohej kufirit me Francën. Në vitin 2009 ai u dënua me burgim te përjetshëm për vrasjen e kryer.

(Në foto Taulant Toma dhe Valentin Frrokaj)

Redaksia online
(eç/ln/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›