E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali protesta masive te studenteve

Studentë dhe profesorë në Itali kanë protestuar të premten në 90 qytete të vendit kundër shkurtimeve të fondeve për arsimin të planifikuar nga kryeministri Mario Monti. Parulla e përdorur ka qenë “Të mbrojmë të ardhmen”.

Në Romë protesta nisi me një tubim të studentëve përpara selisë së Parlamentit Evropian, që është pasuar nga një marshim i përbashkët me profesorët në rrugët kryesore të kryeqytetit. Në tërësi, sipas organizatorëve të manifestimit, kanë qenë të pranishëm rreth 90 mijë vetë.

Në Milano qindra persona iu përgjigjën takimit të thirrur nga sindikatat studentore për gjimnazet dhe universitetet. Një grup prej 30 vetësh ka grisur flamurin e rajonit të Lombardisë dhe ka hedhur shashka tymi ndaj selisë së qeverisë lokale.

Ndërkohë në qytetin e Napolit janë organizuar dy tubime, me pjesëmarrësit që kanë marshuar nën reshjet e shiut.

Ndërsa në Firence rreth 2 mijë persona, mes të cilëve studentë, profesorë dhe të papunë të ardhur nga i gjithë rajoni i Toskanës, janë mbledhur në qendër të qytetit, duke formuar edhe një zinxhir njerëzor.

Protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera si Torino, Kaliari, Bari, si dhe në Siçili, kryesisht në Palermo, ku janë mbledhur rreth 2 mijë vetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›