Itali, të shtëna me armë gjatë betimit të qeverisë, plagosen dy policë
Italia është bërë me qeveri të re, pas dy muaj ngërçi politik. Kabineti i kryeministrit Enrico Letta është betuar të dielën dhe pritet të përballet me votën e parë të besimit javën e ardhshme në parlament.
Ndërkohë, gjatë kohës që bëhej betimi i kryeministrit të ri, jashtë zyrës së tij janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga të cilat kanë mbetur të plagosur dy zyrtarë të policisë, ndërsa është arrestuar një person.
Prokurori i Romës, Pierfilippo Laviani, ka thënë se Luigi Preiti, 49 vjeç, i arrestuar në vendngjarje ka dashur të sulmojë politikanët dhe pasi e ka pasur të pamundur, ka qëlluar zyrtarët policorë.
Sipas policisë, Preiti është i papunë, vjen nga rajoni i Kalabrisë dhe nuk ka dosje kriminale.
Incidenti ka ndodhur rreth një kilometër larg pallatit presidencial, në kohën kur ishte duke u zhvilluar ceremonia e betimit të qeverisë së re.
Italia ka qenë në bllokadë politike, pasi zgjedhjet e muajit shkurt nuk kanë prodhuar fitues të qartë.
28 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Itali, të shtëna me armë gjatë betimit të qeverisë, plagosen dy policë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email