Italia dhe Shqipëria, memorandum bashkëpunimi për sigurinë kibernetike

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së përbashkët digjitale u hodh me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) të Shqipërisë, Igli Tafa, dhe homologut të tij italian, Bruno Frattasi, Drejtor i Agjencisë Italiane për Sigurinë Kibernetike.
Kjo marrëveshje strategjike synon të forcojë bashkëpunimin në fusha kyçe, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet kibernetike, ndarjen e praktikave më të mira dhe forcimin e kapaciteteve teknologjike, duke përfituar nga ekspertiza dhe përvojat e të dyja vendeve.
Ajo gjithashtu përfshin parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike, për të minimizuar rrezikun nga kërcënimet gjithnjë në rritje, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike të përbashkëta, për të mbështetur qëndrueshmërinë e infrastrukturave kritike në rajonin adriatik.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke deklaruar: “Sot është një ditë e rëndësishme për vendin tonë, pasi arritëm të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me shtetin italian për përmirësimin e hapësirës kibernetike të të dy vendeve. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe kërcënimeve kibernetike, të cilat tashmë janë pa shtetësi. Ndihma e përbashkët midis Italisë dhe Shqipërisë pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në sigurinë kibernetike të të dyja vendeve”.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap thelbësor në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturave digjitale të Shqipërisë dhe Italisë, duke konsoliduar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe krijuar një front të përbashkët përballë sfidave kibernetike globale.
Ndërsa Ambasada e Italisë në Shqipëri, në njoftimin për mediet theksoi se marrëveshja parashikon bashkëpunim në disa fusha kyçe, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve kibernetike, shkëmbimin e informacionit, adoptimin e praktikave të mira, ndarjen e përvojave dhe procedurave në fushën e sigurisë kibernetike, asistencën reciproke në parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike dhe zhvillimin e projekteve strategjike të përbashkëta.
Protokolli përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e sinergjisë ndërkombëtare për t’u përballur me sfidat gjithnjë e më komplekse në fushën e sigurisë kibernetike. Shqipëria, e konsideruar si një aktor strategjik në Ballkan, luan një rol qendror edhe për sigurinë kibernetike në këtë zonë.
Nënshkrimi gjithashtu ishte një mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme si prezantimi i fushave kryesore të veprimtarisë së ACN dhe NCSA, gjendja e kërcënimit kibernetik në nivel ndërkombëtar dhe perspektivat e bashkëpunimit të ardhshëm.
“Jam shumë i kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar me Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSA) të Shqipërisë, – tha Frattasi, – sepse forcon bashkëpunimin dypalësh midis vendeve tona në një sektor kyç si siguria kibernetike. Në një kontekst kërcënimesh kibernetike gjithnjë e më të sofistikuara dhe përhapura, është thelbësore që Italia dhe Shqipëria të bashkojnë forcat për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturave tona kritike. Jo vetëm që do të forcohet kapaciteti për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike, por gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e zonës së Adriatikut, një rajon me rëndësi strategjike për të dyja vendet. Me Italinë si partnerin e parë tregtar të Shqipërisë, është e rëndësishme që edhe dimensioni i sigurisë kibernetike të jetë në përputhje me nivelet e larta të bashkëpunimit midis dy vendeve. Sa i përket Italisë, ne jemi veçanërisht të përqendruar në zbatimin e strategjisë kombëtare që ndër objektivat e saj përfshin edhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh”.
Në takim morën pjesë shefi i Kabinetit të ACN Gianluca Ignagni, shefi i Shërbimit për Strategjitë dhe Bashkëpunimin e ACN Massimo Marotti, shefi i Shërbimit për Operacionet dhe menaxhimin e krizave kibernetike ACN Gianluca Galasso, drejtori i Drejtorisë së Rrezikut dhe Kontrollit të Masave të Sigurisë Kibernetike të NCSA-së, Saimir Kapllani, drejtori i Drejtorisë së Analizës së Sigurisë Kibernetike të NCSA-së Adriano Lleshi, drejtoresha e Drejtorisë së Monitorimit të Incidenteve dhe Përgjigjes së NCSA-së Esmeralda Kazia dhe shefi i Sektorit të Monitorimit të Incidenteve Kibernetike dhe Përgjigjes së NCSA-së Klorenta Pashaj.
Pas nënshkrimit, të dyja delegacionet u pritën në Ambasadën Italiane në Tiranë nga ambasadori Fabrizio Bucci.
/r.e/

