Italia, llogorja e fundit
Napoleoni nuk humbi në Vaterlo në 1815-ën, por kur nuk mundi të nënshtronte Rusinë tre vjet më parë. Depresioni i madh i ’29-ës nuk filloi në 24 tetor, por kur politikanët dhe ekonomistët nuk kishin ditur të strukturonin ekonominë, shpërndanin të ardhurat dhe ekonomizonin kreditë. Komunizmi ra ditën që Hrushovi bëri planin njëzetvjeçar të zhvillimit, por llogaritë nxirrnin se nuk do ishte në gjendje të kalonte rivalët e tij perëndimorë. Në luftë, politikë apo ekonomi, nuk fitohet apo humbet ditën kur historia shënon aktin formal, por kohë përpara. Ndaj euro do mbijetojë apo shuhet jo ditën që Banka Qendrore Europiane do deklarojë dorëzimin apo fitoren, por si do shkojë fati i betejës së Italisë. Pasi tashmë dihet se beteja për euron, po zhvillohet çdo ditë në fushat, fabrikat, tregjet financiare, supermarketet e dyqanet italiane. Sa ka ndodhur përpara, nuk ishin gjë tjetër veçse pushkë qorre, krahasuar me ç’po ndodh. Greqia dhe Irlanda janë shumë të vogla për të rrëzuar BE-në. Spanja dhe Portugalia në periferi. Por nëse rrëzohet Italia, atëherë nuk ka shtyllë të mbajë në këmbë Europën e Bashkuar. Gjermania nuk mundet e vetme; Anglia preferon të rrijë në pritje me një këmbë jashtë; ndërsa Franca kënaq narcizmin e saj duke bërë ironi me të tjerët. Ndërkohë vendi që shtrihet në gadishullin Apenin; fabrika e dytë e Europës për sa i takon volumit të produktit që nxjerr kontinenti, ku punëtorët kanë më shumë orë pune krahasuar me kolegët e tyre europianë; foleja e talenteve të dizajnit nga veshja deri në mekanikë, është llogorja e fundit ku mbahet euro. “Ju premtoj se do kullojmë djersë dhe pështyjmë gjak”, ishte çka ju ofroi Monti italianëve kur hyri në ndërtesën që sapo kishte lënë Berluskoni. Paraardhësi e kish drejtuar në mënyrën më të keqe të mundshme kombin, dhe në horizont nxinte humbja. Por në traditën më të mirë të komandantëve romakë, u shkri me masën e njerëzve që do përballonin peshën e sakrificave: Mario Monti nuk pranoi pagën e kryetarit të këshillit të ministrave; shkurtoi shpenzimet qeveritare me pesëdhjetë milionë euro; paraqiti deri faturën që kishte konsumuar familja e tij në darkën e krishtlindjeve, duke rimbursuar protokollin e shtetit për ushqimin e dhëndurëve. Dha shembullin se në fushën e betejës do hidheshin të parët oficerët. Dhe rezultatet nuk vonuan. Kujt ia merrte mendja se italianët që zihen me rrobat e veta, që nxjerrin xixa veriu me jugun; ku biondi i Lombardisë akuzon siçilianin e shkurtër dhe zeshkan se po i ha paratë, ndërsa ky i fundit e shikon gjithë inat për prepotencën e tij; vendi që ka sa fshatra aq dhe dialekte, do bëhej një trup i vetëm. Pak kush e mendonte në Europë që njerëzit kozmopolitë që popullojnë gadishullin, që gjeografia më shumë se vetëdija i ka detyruar të bëhen komb, do reagonin. “Nëse është për ta bërë, le ta bëjmë”, - është shprehja që dëgjohet më shumë nga italiani i thjeshtë. E thënë pa patetizëm dhe vetëmburrje. Ishte e vështirë që t’i shpjegoje punëtorëve të FIAT se pse duhet të rrisnin orët e punës dhe reduktonin të drejtat e tyre, ndërkohë që kolegët gjermanë të Wolksvagenit shkurtonin javën e punës dhe rrisnin pagat. Siç është e vështirë ta shpjegosh pse për hatër të euros që duket e bërë para së gjithash për mbrothësinë e Gjermanisë dhe Francës, duhet punuar. Pasi nëse Italia del nga euro, monedha shembet. Dhe pa euron nëpër këmbë, Italia do jetë më e pavarur në përcaktimin e politikave tregtare. Një politikan i keq, por biznesmen inteligjent si Berluskoni, e tha përpara disa ditësh. Me një nivel këmbimi të lirës së re që përcaktohet nga Banka e Italisë, mallrat “Made in Italy”, rrezikojnë gjithkënd. Greqia me eksportin e agrumeve, Spanja të ullinjve dhe Irlanda të birrës së zezë, nuk trembin askënd. Italia që prodhon nga avionët, helikopterët, trenat, kamionët e veturat, dhe deri tek dizajni e fashion-i i pashoq në botë dhe produktet agrare e blegtorale të kërkuara anekënd, mund të destabilizojë bilancet tregtare të kujtdo, dhe t’i sigurojë vetes prosperitet. Është një rrugë që shumë e mendonin se do ta ndiqte italiani dinak. Por kush tallet me klishenë e përhapur, do i takojë të zhgënjehet rishtas. Pasi italianët kanë vendosur të luftojnë për euron. Si për t’i rikujtuar botës se lavdia e tyre nuk mbaroi me Romën, në luftën e Spanjës në 1936-ën, më qëndrestarët e motivuarit ishin italianët, pavarësisht rreshtimit me frankistët apo republikanët. Në misionet e NATO-s është kontribuuesi i heshtur dhe kurajoz, i cili mban peshë që e kalojnë të Gjermanisë, Spanjës e shpesh Francës. Edhe në futboll, kur i kap egoja nacionale, “Kaltëroshët” kanë hedhur me shpatulla në bar kundërshtarë në dukje të pathyeshëm. Rishtas italianët, po çudisin miqtë dhe armiqtë e tyre. Po pranojnë sakrifica që individualizmi njerëzor të këshillon t’i shmangësh. Kombi që krenohet për selinë që Papa i shenjtë ka në Romë më shumë si atraksion turistik se shenjë e besimit të thellë; që deklarohen katolikë, por vetëm 80 % kanë Biblën në shtëpi apo shkojnë në kishë; të pranojnë të djersijnë e pështyjnë gjak ashtu si të krishterët e parë, më tepër për të tjerët se për vete.
Sot beteja për Europën e Bashkuar po zhvillohet përballë brigjeve shqiptare. Është një betejë e heshtur, ku nuk mungojnë viktimat në jetë njerëzore. Përditë shtypi apenin jep lajme për sipërmarrës që vrasin veten, pasi për shkak të krizës kanë falimentuar duke hedhur njerëzit në rrugë, apo nuk kanë pasur aftësi paguese. Duke shprehur me këtë akt fisnikërinë dhe dinjitetin e tyre. Është një betejë e cila do ketë ndikim edhe në brigjet shqiptare, ku ne vetëm mund të shpresojmë se në fund fqinjët tanë do mbesin në këmbë. Për hir të Europës, vetes së tyre dhe tonën.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
Sot beteja për Europën e Bashkuar po zhvillohet përballë brigjeve shqiptare. Është një betejë e heshtur, ku nuk mungojnë viktimat në jetë njerëzore. Përditë shtypi apenin jep lajme për sipërmarrës që vrasin veten, pasi për shkak të krizës kanë falimentuar duke hedhur njerëzit në rrugë, apo nuk kanë pasur aftësi paguese. Duke shprehur me këtë akt fisnikërinë dhe dinjitetin e tyre. Është një betejë e cila do ketë ndikim edhe në brigjet shqiptare, ku ne vetëm mund të shpresojmë se në fund fqinjët tanë do mbesin në këmbë. Për hir të Europës, vetes së tyre dhe tonën.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)