E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia miraton reformën zgjedhore/ Opozita kundër, Meloni: Rikthejmë pas 30 vitesh votimin preferencial

Me 227 vota pro dhe 164 kundër, Dhoma e Deputetëve në Itali miratoi përfundimisht reformën e re zgjedhore, duke i hapur rrugë një sistemi të ri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Votimi, i zhvilluar me procedurë të fshehtë, u ndoq me tension në sallën e Parlamentit. Kundër reformës së re elektoale u rreshtua opozita, e cila pas rezultatit protestoi në sallë duke e cilësuar reformën si ‘ligj mashtrimi’.

Për Giorgia Melonin, votimi ishte edhe një test për kohezionin e koalicionit qeverisës. Kryeministrja deklaroi se rezultati u jep përgjigje atyre që prisnin përçarjen e qendrës së djathtë.

“Me miratimin përfundimtar të ligjit të ri zgjedhor, kur italianët të shkojnë përsëri në votime, do të jenë në gjendje të zgjedhin gjithçka: partinë e tyre, koalicionin e tyre, platformën e tyre, kandidatin e tyre për kryeministër dhe parlamentarin e tyre. Qendra e djathtë po rikthen votimin preferencial, i cili ka munguar për më shumë se tridhjetë vjet, duke u dhënë qytetarëve përsëri fuqinë për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre. Ata që fitojnë zgjedhjet duhet të jenë në gjendje të qeverisin dhe ata që zgjidhen duhet të jenë përgjegjës ndaj votuesve që i zgjodhën.”

Ndryshimi kryesor i reformës zgjedhore është kalimi nga sistemi aktual miks, në një sistem proporcional dhe rikthim të votës preferneciale për kandidatët.

Kjo do të thotë se mandatet ndahen në bazë të përqindjes së votave që marrin partitë ose koalicionet, ndërsa hiqen pothuajse tërësisht garat në zonat njëemërore, ku deri tani fitonte kandidati me më shumë vota.

Por proporcionalja shoqërohet me një mekanizëm të fortë: bonusin e shumicës.

Nëse koalicioni ose lista që del e para merr të paktën 42 për qind të votave, përfiton 70 mandate shtesë në Dhomën e Deputetëve dhe 35 në Senat. Nëse askush nuk arrin këtë prag, mandatet shpërndahen me sistem proporcional.

Një tjetër ndryshim është rikthimi i votës preferenciale. Zgjedhësi mund të shprehë deri në tre preferenca për kandidatët në listë, ndërsa kryesuesi i listës nuk preket nga votat preferenciale. Kështu, proporcionalja përcakton sa mandate merr partia, ndërsa preferenca i jep votuesit mundësi të ndikojë cilët kandidatë i marrin ato mandate.

Partitë dhe koalicionet duhet gjithashtu të deklarojnë përpara zgjedhjeve kandidatin për kryeministër, ndërsa mbeten pragu 3 për qind për partitë dhe 10 për qind për koalicionet.

Për shumicën, reforma synon të garantojë qeveri më të qëndrueshme dhe një rezultat më të qartë zgjedhor. Opozita e kundërshton, veçanërisht bonusin e shumicës, dhe ka paralajmëruar edhe një përballje me Gjykatën Kushtetuese.

Me votimin e sotëm, Rosatellum-i mbyllet dhe Italia hyn në një fazë të re elektorale, me një sistem proporcional, votë preferenciale dhe bonus shumice për koalicionin që kalon pragun e 42 përqindëshit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›