Italia nderon ministrin Gonxhja me çmimin “Luani i Artë për Merita”

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është vlerësuar me çmimin “Luani i Artë për Merita”, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Senatit Italian. Çmimi iu akordua nga Komiteti i Luanit të Artë të Venecias, në vlerësim të kontributit të tij.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhja theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, mbështetjes së talenteve të rinj dhe kthimit të pasurisë historike e artistike në mundësi zhvillimi.
Në fjalën e tij, Ministri u ndal edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e përshkruar Adriatikun si një hapësirë takimesh, shkëmbimesh dhe ndikimesh të ndërsjella, ku lidhjet mes dy popujve janë ushqyer ndër shekuj nga bashkëpunimi dhe marrëdhëniet njerëzore. Padyshim kultura mbetet një formë kultura mbetet një formë e qëndrueshme diplomacie, që afron shoqëritë dhe hap mundësi të reja.
Në këtë frymë, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të reja mes institucioneve, artistëve dhe mbështetjes për talentet e rinj, si hapa konkretë për ta forcuar më tej lidhjen mes dy vendeve tona.
Ai ia dedikoi këtë vlerësim edhe kontributit të artistëve dhe profesionistëve të kulturës e turizmit, duke e konsideruar si një përgjegjësi të shtuar për projekte të reja në këta sektorë. Në ceremoni morën pjesë personalitete nga fusha të ndryshme, mes tyre edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
“Luani i Artë për Merita” është një vlerësim i Gran Premio Internazionale di Venezia, i cili u akordohet personaliteteve që janë dalluar për kontributin e tyre në art, kulturë, shkencë, ekonomi, sport dhe veprimtari shoqërore, përmes ceremonive të organizuara gjatë vitit.
/RTSH/