E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izrael, Merkel kërkon përparime në procesin e paqes

Duke pasur parasysh gjendjen në Egjipt, kancelarja gjermane Angela Merkel i ka kërkuar Izraelit të rrisë përpjekjet në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ajo foli në Jeruzalem e shqetësuar për zhvillimet në Nil.
Koha nuk pret, duke pasur parasysh ngjarjet në Egjipt dhe në shtetet arabe, përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme duhet të rifillojnë sërish pa humbur kohë, sepse stabiliteti i rajonit është i pasigurt. Me këtë mesazh kancelarja Angela Merkel, iu drejtua në mbrëmje publikut në Jeruzalem, pas një bisede një orë e gjysmë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, bisedë që nga pala gjermane u quajt "shumë objektive dhe serioze".

“Sipas mendimit tim, ajo që ne e quajmë procesi i paqes në Lindjen e Mesme, ndodhet në një situatë që ka rëndësi kaq themelore. Ne duam një zgjidhje me dy shtete. Gjermania ka thënë gjithnjë se është për një shtet hebre izraelit dhe për një shtet palestinez. Dhe unë natyrisht kam thënë se sipas pikëpamjes sime bisedimet janë të pashmangshme, dhe ato duhet të fillojnë sa më parë“, tha Merkel.

Nëpërmjet asaj që, siç tha ajo shprehimisht, "ndodh përreth Izraelit", është rritur në mënyrë të konsiderueshme domosdoshmëria e rifillimit të bisedimeve direkte midis Izraelit dhe autoriteteve autonome palestineze. Për këtë është e nevojshme, përsëriti Merkel disa herë gjatë konferencës, ndalimi i ndërtimit të ngulimeve në territoret palestineze. Netanjahu, të cilin Angela Merkel e falënderoi shprehimisht për vizitën me ministrat e saj në konsultimet bilaterale qeveritare, theksoi se "Tema e ngulimeve duhet të bisedohet në kuadër të një marrëveshje paqeje, sepse konflikti ekziston më shumë se 50 vjet dhe ai nuk ka të bëjë me ngulimet".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›