E Enjte, 5 Nëntor 2026

Izrael, opozita arrin marrëveshje për formimin e qeverisë së re

Kundërshtarët e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu arritën marrëveshje të mërkurën për formimin e qeverisë së koalicionit, duke hapur rrugën për largimin e tij pas 12 vitesh në pushtet.

Kreu i partisë Yesh Atid, Yair Lapid arriti marrëveshje me Mansour Abbas, i cili kryeson partinë Lista Arabe, për formimin e koalicionit përpara skadimit të afatit në mesnatë.

Gjithsej tetë parti do të jenë pjesë e qeverisë së koalicionit nën udhëheqjen e Naftali Bennett, i cili kryeson partinë e ekstremit të djathtë Yamina dhe Lapid.

Lapid informoi presidentin izraelit Reuven Rivlin se kishte siguruar numrat e mjaftueshme në Parlamentin izraelit (Knesset) për formimin e qeverisë, të cilit iu dha mundësia pasi Netanyahu nuk arriti të sigurojë shumicën.

Presidenti Rivlin përgëzoi Lapid dhe partitë e koalicionit në një postim në Twitter.

“Urime për ju Yair Lapid dhe për krerët e partive për marrëveshjen tuaj për formimin e qeverisë. Ne presim që Knesset-i të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur për të miratuar qeverinë, siç kërkohet”, tha Rivlin.

Nëse formohet qeveria e koalicionit, Bennett do të ushtrojë detyrën e kryeministrit për dy vjet si pjesë e marrëveshjes ndërsa pastaj me rotacion për dy vitet tjera këtë pozitë do ta marrë Lapid.

Nëse qeveria e koalicionit do të marrë votëbesimin në Parlament brenda një periudhe të caktuar, Netanyahu do të largohet nga kryeministria, të cilën ai e mori në mars 2009.

Për formimin e qeverisë izraelite nevojiten 61 vota ndërsa koalicioni aktual ka siguruar 62 vota.

Megjithatë, Nir Orbach, deputeti i Yamina, kishte njoftuar se ai nuk do të mbështeste një marrëveshje të tillë.

Nëse edhe ndonjë deputet tjetër mban të njëjtin qëndrim, koalicioni do të bie më pak se numri i deputetëve të nevojshëm për krijimin e qeverisë së re./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›