Izraeli dhe Hamasi arrijnë armëpushimin pas një jave dhunë
Izraeli dhe lëvizja Hamas, që qeveris Gazën, kanë arritur një armëpushim pas një jave dhune, gjatë së cilës u vranë 160 persona.
Sipas BBC, armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 19:00. Edhe të martën u tha se është arritur një armëpushim, por nuk u realizua një gjë e tillë.
Një bombë shpërtheu në një autobus në Izrael, duke plagosur disa persona.
Ndërkohë së paku 13 persona janë vrarë në Gaza.
Lajmin për armëpushimin e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Egjiptit, Kamel Amr, gjatë një konference për shtyp me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, që iu bashkua të mërkurën negociatave.
Izraeli e ka pranuar marrëveshjen, bëhet e ditur nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Netanjahu u konsultua me presidentin Obama përpara se të pranonte armëpushimin.
Kurse zonja Clinton tha se duhet të ndalojnë raketat që vijnë nga Gaza në drejtim të Izraelit dhe të kthehet qetësia.
Ofensiva izraelite nisi një javë më parë pasi ata vranë shefin ushtarak të Hamasit, Ahmed Jabari.