E Hënë, 2 Nëntor 2026

Izraeli dhe Irani vijojnë sulmet ndaj njëra-tjetrës, liderët botëror të ndarë në qëndrimet e tyre

Liderët botëror kanë folur mbi konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse SHBA do të ndërhyjë apo jo në këtë konflikt. Më herët liderët u shprehën në samitin e G7 se nuk besonin në ndërhyrjen e SHBA në konflikt, por komentet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump kanë krijuar pasiguri dhe paqartësi për të ardhmen e këtij konflikti.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë fjalës së tij në samitin e G7-ës në Kanada, u shpreh se do të ishte një gabim i madh që një ndryshim regjimi në Iran të arrihej me mjete ushtarake.

Macron thotë se një ndryshim regjimi do të sillte “kaos” dhe beson se kombet duhet të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar programin bërthamor të Iranit.

“Unë besoj se kemi nevojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i sjellin të gjithë përsëri në tryezën e bisedimeve”, thotë ai.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur mbështetje për Izraelin duke thënë se “kjo është puna e ndyrë që Izraeli po e bën për të gjithë ne”.

“Edhe ne jemi viktima të këtij regjimi. Ky regjim i mullahëve i ka sjellë botës vdekje dhe shkatërrim. Besoj se sulmet e ditëve të fundit e kanë dobësuar regjimin e mullahëve dhe nuk e shoh që do të mund t’i kthehen forcës së dikurshme, duke e bërë të ardhmen e shtetit më të paqartë. Për të qenë i sinqertë, e kam vështirë të imagjinoj se regjimi i mullahëve do t’iu kthehet funksioneve të vjetra. Figura të mëdha të udhëheqjes ushtarake dhe Gardës Revolucionare Islamike nuk janë më gjallë dhe gjërat nuk do të jenë siç ishin”, tha Merz për mediat gjermane.

Qëndrim krejt tjetër mban Turqia, ku presidenti Recep Tayyip Erdogan e cilëson kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu një “kërcënimin më të madh” për sigurinë në Lindjen e Mesme.

“Netanyahu ka demonstruar edhe një herë se ai është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit”, shkruan presidenca turke që Erdogan i ka thënë Emirit të Katarit gjatë një bisede telefonike.

Mes dy shteteve vijojnë sulmet me raketa, ku Forcat ajrore të Izraelit po synojnë vendet e lëshimit të raketave balistike në Isfahan.

Ndërkohë në Iran, televizioni shtetëror Press TV tha se mbrojtja ajrore e Iranit po përballej me një valë të re sulmesh izraelite në lagjet “me popullsi të dendur” të Teheranit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›