Izraeli godet infrastrukturën dhe pikat e forcave të rezistencës në zona të ndryshme të Gazës

Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj zonave të ndryshme në Rripin e Gazës nën bllokadë edhe në orët pas mesnatës.
Avionët luftarakë izraelitë në sulmet intensive dhe të njëpasnjëshme të kryera kundër Rripit të Gazës kanë vendosur në objektivin e tyre zonat Jebel er-Rays, Beit Lahia, Al-Karameh, Sheikh Zayed në veri të Gazës dhe zonat Al-Makvisi dhe Al-Ketibe në veri dhe perëndim të qytetit të Gazës.
Sulmet në Gaza ku janë goditur rrugët, sistemet e infrastrukturës dhe pikat e forcave të rezistencës palestineze, kanë shkaktuar dëme serioze në rajon.
Ushtria izraelite gjithashtu në sulmet e saj me objektiv lagjen En-Nasr ka goditur të paktën apartamentin e një ndërtese shumëkatëshe.
Burimet e sigurisë dhe shëndetësisë kanë njoftuar se në sulmet në fjalë nuk ka humbje jete ose të plagosur.
Ushtria izraelite në sulmet që ka kryer njëra pas tjetrës prej disa ditësh pa njoftuar më parë, ka vendosur në objektivin e saj zona të ndryshme të Rripit të Gazës.
Në sulmet që Izraeli zhvilloi në orët e mëngjesit të dielën ndaj shumë shtëpive në bulevardin El-Vahde në lagjen Er-Rimal të Gazës, humbën jetën mbi 40 persona, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës kanë humbur jetë 212 persona, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra ndërsa janë plagosur 1.400 të tjerë./AA