Izraeli nis sulme ajrore në Gaza, akuzon Hamasin për shkelje të armëpushimit

Izraeli ka nisur sulme ajrore në Rafah, në jug të Gazës, raportojnë mediat izraelite dhe palestineze, ndërsa përplasjet kanë shpërthyer midis forcave izraelite dhe Hamasit, pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA.
Një zëdhënës ushtarak tha se Hamasi kishte kryer sulme të shumta kundër forcave izraelite përtej vijës së verdhë, të cilën, ata thonë, se është zona ku trupat izraelite janë tërhequr në përputhje me fazën e parë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Nga ana tjetër, Hamasi tha se ishte i përkushtuar ndaj armëpushimit dhe akuzoi Izraelin për shkeljen e tij disa herë.
Sulmet në Rafah erdhën disa orë pasi SHBA tha se kishin “raporte të besueshme” se Hamasi po planifikonte një sulm “të menjëhershëm” ndaj civilëve në Gaza, i cili, sipas tyre, do të ishte një shkelje “e drejtpërdrejtë dhe e rëndë” e marrëveshjes së armëpushimit.
“Një sulm i planifikuar kundër palestinezëve do të “minonte progresin e rëndësishëm të arritur nëpërmjet përpjekjeve të ndërmjetësimit”, tha Departamenti i Shtetit.
Hamasi ka mohuar fuqimisht çdo sulm të planifikuar të afërt dhe nga ana tjetër ka akuzuar Izraelin për mbështetjen e grupeve të armatosura rivale në Gaza.
Departamenti i Shtetit tha se kishte informuar tashmë garantuesit e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza – të cilët përfshijnë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë dhe kërkoi që Hamasi të mbështesë përfundimin e kushteve të armëpushimit.
“Nëse Hamasi vazhdon me këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, thuhet në deklaratën e SHBA.
Marrëveshja, pjesë e planit të Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor dhe faza e parë ka rezultuar në lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve e të paraburgosurve palestinezë.
/rtsh.al/