Izraeli paralajmëron Hezbollahun dhe Libanin për luftimet kufitare

Izraeli do të veprojë për të larguar Hezbollahun nga kufiri me Libanin nëse sulmet e grupit militant vazhdojnë, ka paralajmëruar një ministër izraelit.
Benny Gantz tha se ushtria izraelite do të ndërhynte nëse militantët nuk ndalojnë të shtënat në veri të Izraelit.
Ndërkohë, kreu i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se trupat ishin në “gatishmëri shumë të lartë” për më shumë luftime në veri.
“Detyra jonë e parë është të rivendosim sigurinë dhe ndjenjën e sigurisë tek banorët në veri dhe kjo do të marrë kohë,” tha shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneral Herzi Halevi.
Shkëmbimet ndërkufitare të zjarrit janë përshkallëzuar që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Të mërkurën, Hezbollahu nisi numrin e tij më të madh të sulmeve ndërkufitare në një ditë që nga 8 tetori. Kjo ka çuar në shqetësime se konflikti në Gaza mund të bëhet më i gjerë në të gjithë rajonin.
“Situata në kufirin verior të Izraelit kërkon ndryshim. Kronometri për një zgjidhje diplomatike po mbaron. Nëse bota dhe qeveria libaneze nuk veprojnë për të parandaluar të shtënat mbi banorët veriorë të Izraelit dhe për të larguar Hezbollahun nga kufiri, IDF do ta bëjë këtë”, tha Gantz në një konferencë për shtyp.
Në fillim të këtij muaji, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjatë një vizite në trupat pranë kufirit se Izraeli “do ta kthente Bejrutin dhe Libanin e Jugut, në Gaza nëse Hezbollahu do të fillonte një luftë gjithëpërfshirëse”.
Hezbollahu, një organizatë myslimane shiite, është cilësuar një organizatë terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli, vendet arabe të Gjirit dhe Liga Arabe.
E financuar nga Irani, ajo është një nga forcat ushtarake joshtetërore më të armatosura në botë.
Në vitin 2006, një luftë e plotë midis Hezbollahut dhe Izraelit u shkaktua kur Hezbollahu kreu një sulm vdekjeprurës ndërkufitar, me trupat izraelite që pushtuan Libanin jugor./ BBC
/rtsh.al/