Izraeli refuzon urdhrin për armëpushim në Gaza, Netanyahu: Askush nuk do të na ndalojë

Izraeli do të injorojë urdhrin e gjykatës që kërkon armëpushim në Gaza.
“Izraeli do të vazhdojë luftën e tij kundër Hamasit deri në fitore dhe nuk do të ndalet nga askush, duke përfshirë gjykatën botërore”, ka deklaruar kryeministri, Benjamin Netanyahu ndërsa luftimet në Gaza po i afrohen kufirit të 100 ditëve.
Netanyahu foli pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë mbajti dy ditë seanca dëgjimore mbi akuzat e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve, një akuzë që Izraeli e ka hedhur poshtë si shpifëse dhe hipokrite.
Afrika e Jugut i kërkoi gjykatës të urdhërojë Izraelin që të ndalojë ofensivën e tij të ashpër ajrore dhe tokësore në një hap të përkohshëm.
“Askush nuk do të na ndalojë, as Haga, as boshti i së keqes dhe askush tjetër”, theksoi kryeministri izraelit.
Netanyahu e bëri të qartë se Izraeli do të injoronte urdhrat për të ndalur luftimet, duke e thelluar potencialisht izolimin e tij.
Izraeli ka qenë nën presionin ndërkombëtar në rritje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka vrarë më shumë se 23,000 palestinezë në Gaza.
/rtsh.al/