Izraeli sulmon qendrën shëndetësore në Gaza, vriten 15 persona, mes tyre 8 të mitur

Një sulm izraelit u ka marrë jetën 15 personave, përfshi gra dhe fëmijë, të mbledhur jashtë një qendre shëndetësore në qytetin qendror të Gazës, Deir Al Balah. Spitali i Martirëve të Aksasë në Gaza bëri me dije se tetë nga viktimat e sulmit ishin të mitur.
Ushtria izraelite deklaroi se shenjestër e sulmit ishte një militant i Hamasit i cili mori pjesë në sulmet e grupit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 .
“Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë në dijeni të raporteve në lidhje me një numër individësh të plagosur në zonë. Incidenti është duke u shqyrtuar. IDF shpreh keqardhje për çdo dëm ndaj individëve të papërfshirë dhe vepron për të minimizuar dëmin sa më shumë të jetë e mundur”, tha ushtria izraelite, raporton CNN.
Projekti HOPE (organizatë amerikane ndihme) tha se sulmi ndodhi para njërës prej klinikave të saj shëndetësore, ku njerëzit po prisnin të merrnin trajtim.
“Klinika shëndetësore të Projektit HOPE janë një vend strehimi në Gaza ku njerëzit sjellin fëmijët e tyre të vegjël, gratë kanë akses në kujdesin gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, njerëzit marrin trajtim për kequshqyerjen dhe shumë më tepër. Megjithatë, këtë mëngjes, familje të pafajshme u sulmuan pa mëshirë ndërsa prisnin në radhë që të hapeshin dyert. Të tmerruar dhe me zemër të thyer nuk mund të shprehim më siç duhet se si ndihemi”, tha drejtori ekzekutiv i organizatës, Rabih Torbay.
Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij dhe ka zgjeruar operacionin tokësor në disa pjesë të Gazës, ndërsa negociatorët në Doha vijojnë bisedimet për lirimin e pengjeve, vendosjen e një armëpushimi të përkohshëm dhe lejimin e hyrjes së më shumë ndihmave humanitare në Rripin e shkatërruar të Gazës. Pothuajse 3,000 palestinezë u vranë gjatë muajit të kaluar në Gaza.
Ndërkohë, Hamasi ka vazhduar të kryejë sulme të stilit guerilas kundër ushtrisë izraelite, duke vrarë më shumë se 20 ushtarë në pjesë të ndryshme të Rripit Izraelit gjatë së njëjtës periudhë, përfshirë pesë ushtarë të vrarë këtë javë në qytetin verior të Beit Hanoun.
/rtsh.al/