E Hënë, 2 Nëntor 2026

Izraeli vijon bombardimin e Sirisë, Irani: Regjimi i Assadit ishte plan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Pak ditë pas rrëzimit të regjimit të Bashar al Assad, Siria vijon të mbetet në kaos.

Pavarësisht thirrjeve për një kalim paqësor të pushtetit, duket se bombardimet e Izraelit në kufirin jugor të vendit po e vështirësojnë një gjë të tillë.

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, ushtria izraelite ka thënë se ka goditur me më shumë se 480 sulme ajrore duke synuar rezervat e armëve dhe infrastrukturën strategjike në Siri.

Ndërkohë rebelët tashmë në pushtet i kanë vënë flakën varrit të babait të presidentit të rrëzuar sirian Bashar Al Assad.

Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit.

Kryeministri i zgjedhur për qeverinë teknike iu ka bërë thirrje sirianëve në mbarë botën të kthehen në Siri.

Ai ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij, rikthimi i stabilitetit dhe sigurisë në vend do të jenë prioritet.

Mes premtimeve është edhe rindërtimi, por gjendja financiare e shtetit është e rënduar.

Ndërsa më herët gjatë ditës, udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei tha se përmbysja e presidentit sirian Bashar al-Assad, ishte rezultat i një plani të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Ai shtoi se një nga fqinjët e Sirisë kishte gjithashtu rol, por nuk e përmendi me emër.

“Ajo që ndodhi në Siri, ishte planifikuar kryesisht në dhomat e komandës së Amerikës dhe Izraelit. Ne kemi prova për këtë. Një qeveri fqinje e Sirisë ishte gjithashtu e përfshirë. Ajo kishte rol të qartë dhe vazhdon ta ketë”, tha lideri suprem i Iranit, Ajetollah Ali Khamenei.

Përmbysja e regjimit shihet si një goditje e madhe ndaj aleancës politike dhe ushtarake të Boshtit të rezistencës të udhëhequr nga Irani, i cili shpenzoi miliarda dollarë për të mbështetur asadin gjatë luftës civile në Siri./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›