JAPONI – Kryeministri Fumio Kishida nuk do të kandidojë për rizgjedhje

TOKIO, 14 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri japonez Fumio Kishida nuk do të kandidojë për rizgjedhje në shtator.
Kishida nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Partisë së tij Liberal Demokratike (LDP) në shtator.
Kreu i partisë, e cila ka qeverisur pothuajse për disa dekada, zakonisht është edhe kryeministër.
“Në një konferencë për shtyp Kishida tha se vendimi i tij ishte një hap i parë për t’i bërë përshtypje publikut se LDP ka ndryshuar,” raportoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo.
“Kishida tha se partia e tij “duhej të punonte si një e vetme” nën drejtimin e një udhëheqësi të ri për të rikthyer besimin e publikut në politikë – dhe për të adresuar sfidat si, rënia e nivelit të lindjeve në një shoqëri të plakur dhe për të forcuar aftësitë mbrojtëse”, raportoi Kyodo.
Ai nuk pranoi të komentonte se kush do të ishte zgjidhja më e mirë për kreun e ardhshëm të partisë dhe për kryeministër.
Vlerësimi i mbështetjes së Kishida ka rënë nën 30% pas një skandali donacionesh në partinë e tij, i cili përqendrohet te disa anëtarë të LDP-së – të cilët akuzohen se nuk kanë deklaruar saktë të ardhurat nga ngjarjet e mbledhjes së fondeve.
Nën drejtimin e Kishida, i cili ka qenë kryeministër që nga viti 2021, Japonia ndërmori një ndryshim në strategjinë e saj të sigurisë – që synon të kundërshtojë përpjekjet e Kinës për pushtet dhe programin e armëve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, të cilat Tokio e sheh si një kërcënim.
Në fund të vitit 2023, ai rriti shpenzimet ushtarake me 17% në 7,9 trilion jen (53 miliardë dollarë), në përputhje me një vendim për të shpenzuar një total prej rreth 43 trilion jen për mbrojtjen deri në vitin 2027. //a.i/