JORDANI – Blinken bën thirrje për një tranzicion jo të dhunshëm në Siri

BEJRUT, 12 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjatë vizitës në Jordani, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje të gjitha palëve në Siri që t’u përmbahen të drejtave të njeriut dhe lirive themelore pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, tha sot zëdhënësi Matthew Miller.
“Popullsia civile, duke përfshirë pakicat në Siri, duhet të mbrohen”, tha Miller, duke shtuar se Uashingtoni mbështet tranzicionin politik që çon drejt një qeverie përfaqësuese siriane.
Blinken u takua sot me mbretin Abdullah II dhe ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman al-Safadi në Jordani.
Abdullah tha se hapi i parë drejt paqes në rajon ishte një armëpushim në Gazë.
Ai tha se zgjidhja me dy shtete për çështjen palestineze ishte e vetmja mënyrë për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke theksuar se SHBA-ja luante një rol vendimtar në këtë çështje.
Kjo shënon vizitën e 12-të të Blinken në rajon që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor 2023.
Destinacioni tjetër në programin e Blinken është kryeqyteti turk, Ankaraja. //a.i/