E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja kur nis furnizimi i SHBA-së me naftë ruse pas marrëveshjes së Trump me Moskën

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar një marrëveshje të diskutueshme me Moskën për furnizimin me naftë, në përpjekje për të ulur çmimet e karburanteve në SHBA përpara zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit, më 3 nëntor.

Zëvendëskryeministri rus për Energjinë, Alexander Novak, deklaroi se palët po negociojnë ende kushtet tregtare dhe po punojnë për finalizimin e kontratave.

Sipas tij, pasi kontratat të nënshkruhen, karburanti do të mbërrijë në tregun amerikan brenda 15 deri në 20 ditësh.

Megjithatë, ai nuk dha një datë konkrete për nënshkrimin e tyre.

Të mërkurën, këshilltari i Kremlinit për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, Kirill Dmitriev, kishte deklaruar se kontratat do të nënshkruheshin brenda pak ditësh.

Rritja e çmimeve të karburanteve në SHBA që nga fillimi i luftës së përbashkët amerikano-izraelite kundër Iranit ka shtuar pakënaqësinë e qytetarëve. Kjo situatë mund të ndikojë te republikanët e Trump-it përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Megjithatë, shumë ekspertë vlerësojnë se marrëveshja për furnizimin me naftë dizel nga Rusia nuk do të sjellë ndryshime të mëdha në shpenzimet e konsumatorëve amerikanë.

SHBA-të konsumojnë rreth 3,9 milionë fuçi naftë dizel në ditë, ndërsa marrëveshja me Rusinë parashikon fillimisht vetëm 2,22 milionë fuçi gjithsej. Kjo sasi mjafton për të mbuluar më pak se gjysmën e konsumit ditor të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›