E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja projekti i Bashkisë për Skënderbej?

Cili është projekti i Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” dhe si do të vijojnë punimet aty? Rama deklaroi se është shume i rëndësishëm përfundimi i unazës së vogël dhe shpronësimi i godinës së Insigut. Por deri atëherë, specialistët dhe teknikët sqarojnë se ku do të përqëndrohen punimet gjatë ditëve në vijim.

Projekti për sheshin “Skënderbej” ka disa hapa. Në fazën e parë të projektit është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen, ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri “Skënderbej”.

Sipas specialistëve do të punohet për ndërtimin e një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skenderbeut, e projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit në të cilën do të instalohen rezervuaret e ujit teknologjik dhe atij për vaditje, si dhe pompat dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvaneve të sheshit të ri.

Por ndërkaq punimet do të shtrihen për ndërtimin e dy galerive të nëndheshme në të cilat do të përdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojne sheshin në të dy drejtimet kryesore Veri-Jug dhe Lindje –Perëndim.

Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin Zogu i Parë, pranë “Veve Center”, do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së Bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me rrugën Myslym Shyri.

Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e rrugës Luigj Gurakuqi me Unazën e Vogël.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›