Jahti me shqiptarë të paligjshëm drejt Britanisë ndalohet në brigjet angleze, në pranga kontrabandistët

Pesë persona janë arrestuar pasi një jaht që transportonte shtatë persona drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme u ndalua pranë bregdetit jugor të Anglisë.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së hënës, 25 maj, nga Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA) dhe forcave kufitare britanike.
Dy anëtarë të ekuipazhit të jahtit, një britanik 42-vjeçar dhe një shtetas shqiptar 25-vjeçar u arrestuan.
Autoritetet identifikuan gjithashtu edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se po prisnin mjetin lundrues në breg. Mes tyre ishin një britanik 38-vjeçar dhe dy shqiptarë të moshave 24 dhe 32 vjeç. Edhe ata u arrestuan për dyshime lidhur me trafikimin e emigrantëve.
Pas marrjes në pyetje nga hetuesit e NCA-së, tre prej të arrestuarve u lanë të lirë me kusht, ndërsa dy shtetasit shqiptarë, 25 dhe 32 vjeç, vazhdojnë të mbahen në paraburgim për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Shtatë personat e gjetur në jaht, të gjithë shtetas shqiptarë, do të trajtohen nga autoritetet britanike të emigracionit.
Komandanti i NCA-së, Saju Sasikumar, deklaroi se lufta kundër emigracionit mbetet një prioritet kryesor për autoritetet britanike.