“Jam fyer dhe kërcënuar nga prokurori Dado”, Veliaj: Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht

DURRËS- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish duke mbrojtur variantin e tij se prokurori Osl Dado e ka fyer, sulmuar dhe e ka kërcënuar në sallën e gjyqit.
Ai thekson se ajo seancë gjyqësore ishte një kasaphanë e përgatitur për ta “vrarë” atë politikisht.
Kryebashkiaku Veliaj sfidon Gjykatën, të cilës i kërkon të publikojë audion e seancës dhe pastaj të jenë vetë qytetarët, që të vendosin se kush ka të drejtë.
Duke e konsideruar si dosje të stisur, Veliaj thotë se çdo ditë do vijojë ta çmontojë atë duke publikuar të kundërtën e dosjes së Prokurorisë.
Reagimi i Kryebashkiakut Erion Veliaj: Mirëmbrëma, Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme. Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun. Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”. Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë. Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.