E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Markim dhe mirëmbajtje të “Shtegut të Pelikanit” në Divjakë-Karavasta

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Në “Shtegun e Pelikanit” në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta  këtë fundjavë Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrinë e Arsimit, nisën programin “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura”.

Kjo nismë synon mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike në të gjithë vendin.

Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, në një postim në rrjetet sociale, tha se kjo iniciativë i sjell nxënësit më pranë natyrës, duke i bërë pjesë aktive të markimit, sistemimit dhe mirëmbajtjes së shtigjeve turistike në zonat e mbrojtura.

Jaupaj u shpreh se përmes ekskursioneve dhe orëve mjedisore në terren, të rinjtë mësojnë jo vetëm të njohin biodiversitetin e vendit tonë, por edhe ta mbrojnë atë.

“Edukimi mjedisor fillon në terren, aty ku natyra bëhet klasa më e mirë për brezin e ri”, tha Jaupaj.

Programi kombëtar “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura” synon të krijojë një kulturë të re bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve, duke e kthyer mbrojtjen e natyrës në një prioritet të përbashkët kombëtar.

Shtigjet turistike në Shqipëri po kthehen gjithnjë e më shumë në destinacione të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë bukurisë natyrore dhe mundësive për ecje, aventurë dhe eksplorim. Rritja e interesit për turizmin malor dhe aktivitetet në natyrë ka sjellë edhe nevojën për kujdes dhe mirëmbajtje më të madhe të këtyre hapësirave.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›