E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Riciklimi i aluminit nxit industrinë dhe ekonominë qarkulluese

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, u shpreh se, riciklimi i aluminit po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë mekanike dhe automobilistike, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e ekonomisë qarkulluese në vend.

Ministri ndau në rrjete sociale shembullin e kompanisë AMA Recycling, që përfaqëson një model konkret të transformimit të mbetjeve në vlerë të shtuar, ku alumini i grumbulluar rikthehet në ciklin e prodhimit përmes përpunimit në lingota cilësore, të destinuara për sektorë strategjikë të industrisë.

Sipas Jaupajt, produktet e përpunuara nga kjo kompani furnizojnë industri të njohura ndërkombëtare si Fiat, BMW dhe Brembo, kjo e fundit e njohur për përdorimin e teknologjisë së saj edhe në Formula 1.

Ministri nënvizoi se një nga avantazhet kryesore të riciklimit të aluminit është eliminimi i skarcove teknologjike, çka e bën procesin më efikas dhe më miqësor me mjedisin. Ai shtoi se rreth 40% e aluminit të përdorur nga kompania sigurohet nga tregu vendas, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë vendase dhe në reduktimin e mbetjeve.

Jaupaj vlerësoi se raste të tilla dëshmojnë se kur inovacioni bashkohet me përgjegjësinë mjedisore, krijohen modele të suksesshme zhvillimi që ndikojnë pozitivisht në industri, rrisin punësimin dhe forcojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Rezart Zylfi administrator i kompanisë u shpreh se, kjo sipërmarrje operon në fushën e riciklimit të metaleve me ngjyra që prej 17 vitesh”.

“Kompania mbledh metalet nga kompanitë e ndryshme që operojnë në vend apo pikat e grumbullimit dhe pas selektimit ishkrin ato dhe krijon lingota alumini, të cilat përdoren për prodhimin e produkteve të ndkryshmetë aluminit nga fabrikat europiane”, shpjegoi ai.

Ai tha se automatizimi dhe teknologjitë inovative kanë rritur efektivitetin në punë dhe garantojnë mbrojtje të mjedisit.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›