E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java Kulturore Hungareze nis me duele Teqball-i, kombinim unik i futbollit dhe tenisit të tavolinës

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Java Kulturore Hungareze u çel sot në Tiranë me aktivitetin sportiv të Teqball, një kombinim unik i futbollit dhe tenisit të tavolinës.

Aktivitetet sportive u zhvilluan pasditen e sotme në Shkollën e Biçikletave dhe në Parkun e Liqenit në Tiranë.

Të rinjtë kryeqytetas zhvilluan këtë lojë dinamike dhe plot sfida, e cila mund të luhet në dyshe ose në teke, ku lojtarët përdorën çdo pjesë të trupit përveç duarve dhe krahëve.

Gjatë aktivitetit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të dy tavolinave Teqball, dhuratë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë, një tavolinë tek Shkolla e Biçikletave dhe tjetra tek Parku i Madh i Liqenit, sheshi tek kisha e Shën Prokopit.

I njohur zyrtarisht nga organizata të mëdha sportive, Teqball është përfshirë në Lojërat Evropiane 2023 dhe synon të bëhet edhe sport olimpik. Që nga prezantimi i tij në Budapest në vitin 2016 – me Ronaldinhon si ambasador, ky sport ka fituar zemrat e futbollistëve dhe fansave në mbarë globin.

I shpikur në Hungari në vitin 2014, Teqball u njoh si sporti më i shpejtë në botë që fitoi status ndërkombëtar. Sot përfaqësohet nga Federata Ndërkombëtare e Teqball (FITEQ) dhe vazhdon të frymëzojë lojë të ndershme, kreativitet dhe një stil jetese të shëndetshëm.

Aktivitetet e Javës Kulturore Hungareze do të zhvillohen nga sot deri më 2 tetor. Kjo javë sjell një përvojë të pasur, ku historia dhe traditat ndërthuren me krijimtarinë bashkëkohore, duke ofruar një eksperiencë përmes artit, muzikës, modës dhe gastronomisë autentike.

Aktiviteti Teqball në kuadër të Javës Hungareze, foto: Andrin Hoxha 1 nga 11

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›