E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e Kuzhinës Italiane, degustime e sesione shkencore kushtuar dietës mesdhetare

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Sot nis Java e Kuzhinës Italiane në Botë dhe gjithashtu edhe në Shqipëri.

Aktivitetet kushtuar gastronomisë italiane janë konceptuar si një udhëtim, nga 17-26 nëntor, me evente, degustime, takime me shefa kuzhine dhe sesione shkencore kushtuar vlerave dhe elementeve që e bëjnë të veçantë kuzhinën italiane.

Në kuadër të Javës X të Kuzhinës Italiane në Botë, Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” organizojnë konferencën “Dieta Mesdhetare – Shëndeti në pjatë: ushqimi i duhur për një trup të shëndetshëm”.

Si në konferencë por edhe në aktivitetet e tjera në programin e kësaj jave, do të vihet theksi tek rëndësia e dietës mesdhetare, e njohur tashmë si Pasuri Kulturore Jomateriale e njerëzimit nga UNESCO. Dieta mesdhetare përfaqëson një thesar që ruan dhe risjell shtresëzimin mijëravjeçar të cilësisë dhe vlerave që qëndrojnë në themel të një jete të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Në kuzhinën italiane i jepet rëndësi cilësisë së përbërësve, si pikënisje e çdo pjate të madhe, me produkte autentike, të sigurta dhe të qëndrueshme.

Edhe receta me krijimtarinë e shefit të kuzhinës, që bashkon teknikën, traditën dhe risitë, janë elemente të cilat do të reflektohen në aktivitet e këtyre ditëve të cilat do të kremtojnë modelin mesdhetar si një stil jete.

1 nga 3

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›