Java e diversitetit, komuniteti LGBT nis ativitetet me një ekspozitë
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri çeli sot pranë Galerisë Kledio, ekzpozitën e fotografive dhe imazheve Politika e Shpirtit dhe e Trupit, një koleksion fotografish, posterash, videosh sensibilizuese dhe instalacionesh nga tre vite punë të organizatës në përpjekjet e saj për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi të drejtat LGBT.
Kjo ekspozitë, e cila është kuruar nga artisti i ri, Artan Karoli, çel gjithashtu Javën e Diversitetit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, 17 Maj, ditë në të cilën festohet vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të hequr homoseksualitetin nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Patologjive.
Ekspozita në vetvete përmban një larmishmëri mesazhesh dhe tematikash, në varësi të punëve të ndryshme sensibilizuese dhe advokuese të organizatës. Ndër vite, Ambasada PINK / LGBT Pro i ka dërguar publikut mesazhe shumë domethënëse duke kërkuar ndryshimin e mentalitetit, sjelljes dhe opinionit publik mbi çështjet LGBT.
Disa nga mesazhet kryesore të këtyre viteve kanë qenë: Homoseksualiteti nuk njeh kufij, Bëj lëvizjen e duhur, ngri flamurin, Ndryshimi ka filluar; Beso, Përfshihu, Ndrysho, Voto Diversitetin, Këtu Ambasador je ti etj.
Ndërkohë, java e diversitetit do të jetë e mbushur me një seri aktivitetesh ndërgjegjësuese, sensibilizuese dhe edukative. Në datën 16 Maj, Ambasada PINK do të mirëpresë tryezën e rrumbullakët Shqipëria kundër homofobisë; Të drejtat LGBT dhe politika, media, të rinjtë dhe plani i veprimit dhe do të finalizohet me Panairin e Diversitetit në bashkëpunim me dhjetra organizata të të drejtave të njeriut në vend.