E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Java franko-shqiptare e Inteligjencës Artificiale, Suard: Ndihmojmë Shqipërinë të përshpejtojë anëtarësimin në BE

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Në ceremoninë e hapjes së Javës Franko-Shqiptare të Inteligjencës Artificiale, ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në vendin tonë, Catherine Suard.

Ambasadorja Suard theksoi në fjalën e saj se Franca është një vend avanguarde sa i përket Inteligjencës Artificiale dhe synon të përkrahë Shqipërinë në këtë “revolucion”.

“Inteligjenca Artificiale është revolucioni i tanishëm dhe gjithnjë revolucioni është i rëndësishëm. Në këto lloj revolucionesh Franca është e para. Franca është lider për AI dhe do të vazhdojë të kontribuojë për këtë çështje edhe në lidhje me Shqipërinë për ta ndihmuar të përshpejtojë anëtarësimin e saj në BE, sa më shpejt të jetë e mundur. Për ne novacioni është shumë i rëndësishëm dhe në këtë bashkëpunim mes dy qeverive tona”, u shpreh ambasadorja franceze.

Aktualisht bashkëpunimi mes dy qeverive përqendrohet në dy projekte: në një qendër të Komunitetit të Bizneseve dhe në një studim për ekosistemin e investimeve digjitale në Shqipëri, financuar me një grant nga Franca.

“Qëllimi i ditës së sotme është të rishikojmë rezultatet e këtij studimi i cili ofron pozicionimin e duhur për Shqipërinë”, tha Catherine Suard.

Në përmbyllje të fjalës së saj, ambasadorja e Francës ftoi të gjithë të bëjnë të pamundurën që realizmi i këtij projekti të jetë diçka konkrete, si dhe të forcohet më tej bashkëpunimi Shqipëri-Francë në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke u fokusuar tek qeverisja vendore. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›