E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Jemi këtu falë Festivalit të Këngës në RTSH, mos e ndryshoni”, menaxheri i Shkodrës Elektronike: Kam marrë dy “shuplaka” të mira

Olsi Sulejmani ishte një drejtues “nën zë” deri kur grupi që ai tani menaxhon, Shkodra Elektronike, do të merrte hovin muzikor me të cilin befasuan deri në Eurovizion.

Gjatë një programi special për përfaqësuesit e fundit të Shqipërisë në Eurovizion, dyshes Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, z. Sulejmani tha se ai ka marrë “dy shuplaka të mira” brenda pak muajve.

“E kam menduar edhe gjatë Festivalit të Këngës në RTSH… Kam marrë dy shuplaka të mira. Një nga publiku shqiptar, që nuk e prisja se do të na votonte në masë, dhe një nga publiku ndërkombëtar, që na ka votuar në masë. Ndihem mirë! Janë shuplaka që të rrisin,” u shpreh menaxheri i Shkodrës Elektronike duke qeshur.

Në një komunikim virtualisht nga larg, ai tha se ndihet krenar për çfarë kanë arritur si grup. Një mesazh të veçantë rezervoi edhe për Festivalin e Këngës që organizon RTSH, duke “u lutur” që organizatorët e këtij viti të mos ndërrojnë formulë, por të ruajnë autenticitetin shqiptar pa u ndikuar nga presioni për të përzgjedhur një këngë sipas shijeve të Eurovizionit.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin që kemi. Janë arritje të cilat nuk i imagjinonim. Janë arritje të cilat janë edhe falë Festivalit të Këngës në Radio Televizion, të cilit doja t’i thurja disa elozhe. Ne jemi aty ku jemi falë Festivalit të Këngës në Radio Televizion dhe falë organizimit që ka pasur këtë vit. Si kurrë më parë, Festivali u kthye në ndriçimet e tij të hershme.

Do i lutesha Drejtoreshës së re, Bordit, që të mos e ndryshonin formatin. Festivali i Këngës në Radio Televizion dhe Sanremoja kanë një veçanti, sepse i drejtohen publikut vendas dhe jo publikut ndërkombëtar. Nuk janë ‘pre-selection’ për Eurovizionin. Është e rëndësishme që të mos bëjmë ‘pre-selection’ për Eurovizionin dhe të çojmë atë që mendojmë ne se do Eurovizioni. Është shumë më e rëndësishme që të eksportojmë vlera sesa të fitojmë një vend të parë, të dytë ose të tretë në Eurovizion. Renditja nuk është aq e rëndësishme sa është promovimi i vlerave artistike, kulturore që mund të shprehin artistët tanë,” u shpreh z. Sulejmani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›