“Jemi takuar tek Liri i Cigareve”/ Alibej tregon si u njoh me Plaurent Dervishajn: Komunikuam pas atentatit në Durrës

Është zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) seanca e rradhës për dosjen “Plumbi i Artë”.
Para togave të zeza ka dëshmuar Erjon Alibej, i cili ka treguar se si është njohur me Plaurent Dervishajn.
Alibej tregoi se me Dervishajn njihet që prej vitit 2019 përpara se t’i bëhej atentat në muajin mars ose fillim prilli.
Sipas tij, arsyeja e takimit ishte për ngjarjet që i kishin ndodhur familjes së Alibej, pasi ky i fundit donte të mësonte se kush i kishte kryer krimet në familjen e tij.
Alibej rrëfen ndër të tjera, se Dervishaj përdorte pseudonimin “Barcelona” në aplikacione.
Pjesë nga dëshmija e Erjon Alibej:
Plaurent Dervishaj e njoh prej vitit 2019 përpara se t’i bëhej atentat në muajin mars ose fillim prilli. Jemi takuar tek “Liri i Cigareve”, ka fabrikë në Librazhd. Plaurenti erdhi me një djalë tjetër, më vonë e identifikova që ishte “Mond Çekiçi”.
Ishte me automjet BMW seria 7, bojqielli e errët. Arsyeja e takimit ishte për ngjarjet që i kishin ndodhur familjes time. Unë po interesohesha se kush i kishte kryer krimet ndaj familjes time. Plaurenti njihej si “Lenti”. Kam patur aplikacion Encho Chat dhe Sky Ecc.
Pseudonimet e mia kanë qenë “Noku” dhe “Kumi”. Plaurenti kishte të dyja platformat. Te Sky e kishte pseudionimin “Barcelona”. Kemi komunikuar kur atij iu bë atentati në Durrës. I them shyqyr që shpëtove.
Çfarë merrja unë vesh për atentatin ndaj tij, ia thoja atij. Ai e gjykonte vetë se çfarë vlerësonte si informacione. Në takimin me Plaurentin, emrin e Redjan Rraja e kam dëgjuar për herë të parë kur iu bë atentat një prokurori. Kur u bë atentati e dija mirë që e kishte bërë ai.
Kur e pyes Plarentin dhe i them që po si është e mundur që u zbulua kaq shpejt autori, emrin e Redjan Rrajës ma ka thënë Plaurenti. Më thotë po, e kam shok dhe i është futur ccunave me zor në makinë, donte të merrte pjesë dhe ai.