E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jeta me tre ngjyra”, nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës, film që pasqyron realitetin e qytetit

Filmi “Jeta me Tre Ngjyra” është filmi  më i ri që do të shfaqet për publikun javën e ardhshme. Ai është realizuar nga nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela”, nën drejtimin e mësueses Zime Tota.

Sipas saj, filmi është i bazuar në problematika dhe situata reale të përditshmërisë në qytet, duke përcjellë mesazhe që lidhen me shoqërinë dhe institucionet. Përmes interpretimit të të rinjve, synohet të jepet një pasqyrë më e afërt e realitetit që përjetojnë të rinjtë sot.

“Nxënësit kanë përgatitur një film me titull “Jeta me Tre Ngjyra”, ndërsa sot në bashki u realizua një nga aktivitetet e parashikuara në kuadër të këtij projekti. Filmi përcjell mesazhin se si këta të rinj, me energjinë, dijen dhe vizionin e tyre, do të jenë ata që në të ardhmen do ta drejtojnë dhe zhvillojnë Kukësin, duke kontribuar në lulëzimin ekonomik dhe përparimin e tij në të gjitha fushat”, tha Tota.

Ndërkohë, nxënësit kanë përqafuar me përkushtim çdo rol në film, duke u angazhuar maksimalisht për të sjellë interpretime sa më bindëse dhe profesionale.

Gjimnazi “Havzi Nela” vijon të organizojë aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore, duke vendosur nxënësit në qendër të tyre dhe duke nxitur talentin e të rinjve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›