Jeta, vdekja dhe përjetësia
Misteret e jetës dhe të vdekjes për shumë njerëz kanë qenë objekt shqyrtimi. Disa janë munduar ta gjejnë kuptimin e jetës, e të tjerë janë marrë me fundin e saj, që është vdekja. Ndërsa, jeta e përtejme apo jeta e amshuar është bazë e tri religjioneve monoteiste. Edhe për shumë poetë, këto kanë qenë tema mbi të cilat janë ndërtuar poezitë e tyre. Ndërkaq, për dy poetë kosovarë, jeta është ‘fenomen më ekstraordinar në ekzistencë’ (Fahredin Shehu) dhe ‘një ecje mes dy pikash’ (Ag Apolloni). Përballë vdekjes, të dy tregohen trima, pasi që nuk i frikohen aspak, ndërsa kur bëhet fjalë për jetën e përtejme, njëri shfaq besimin e plotë në të, ndërsa tjetri flet në mënyrën dëshirore.
EXPRESS: Çka është jeta?
Fahredin Shehu: Jeta është fenomen më ekstraordinar në ekzistencë. Secili që përpiqet ta sqarojë, sqarimi i tij mbetet në suaza më subjektive të mundshme, sepse kodi kreativ i Krijuesit është unik dhe asnjë matriks i huaj nuk vlen për mua. Nëse më pyesni për çfarësinë e saj, prapë them se edhe kjo mbetet në suaza subjektive sepse unë e përjetoj ndryshëm, madje shumë ndryshe nga të tjerët.
Janë shumë faktorë që e determinojnë jashtëzakonshmërinë e jetës, vetvetes dhe vetvetisë, andaj edhe lindin filozofi të ndryshme në mëtime që të japin definicione ku secili është më i gabueshëm se tjetri. Përpjekje të tilla filozofike apo epistemologjike janë sikur t’i flasësh për kënaqësinë seksuale një fëmije, i cili akoma nuk e ka përjetuar për herë të parë kënaqësinë seksuale dhe detyrimisht përdoren analogji që t’i përafrohet perceptimi i njohur për nivelin e tij të pjekurisë.
Ag Apolloni: Jeta për mua është një ecje mes dy pikash, mes pikës fillestare (lindja) dhe pikës përfundimtare (vdekja). Mes këtyre dy pikash, ka shumë pika nëpër të cilat jeta ecën në mënyrë zigzage dhe kjo dëshmon që jeta realizohet mes dy ngjyrash, por me një spektër ndërmjet të bardhës dhe të zezës. Tash as filmat s’janë bardh e zi, e lëre më jeta! Varësisht nga jetesa, mund ta përkufizojmë jetën si dhuratë, apo si mallkim. Jetën si dhuratë e lidhim me besimin, me devotshmërinë, me lumturinë, ndërsa jetën si mallkim e lidhim zakonisht me rebelimin ndaj Perëndisë, me futjen “nër udhë”, me pakënaqësinë. Mendoj se gjatë jetës, shumica e njerëzve i kryqëzojnë këto dy linja, prandaj edhe jeta teorikisht duket më e lehtë se praktikisht. Secili nga ne është një Sizif që gjatë gjithë jetës duhet ta bartë gurin e vet mbi shpinë. Nga jeta e di që kjo është e vërtetë, ndërsa nga arti e di që jeta mund të jetë “mallkimi më i madh”, si rasti i çifutit të dënuar me jetë nga Jehovai, si rasti i Drakulës së Coppola-s, si rasti i njerëzve “zombie”, apo si rasti i Tat Tanushit të Kutelit. Janë këto raste kur personazhit i gërditet jeta dhe mendon, si te “White Zombie”: “Better dead than that!” (“Ma mirë dekë se qishtu!”). Calderon de la Barca thoshte “jeta është ëndërr”, Edgar Allan Poe shkonte edhe një shkallë më përtej kur thoshte “jeta është një ëndërr brenda ëndrrës”. Platoni dhe paganizmi na sugjerojnë jetën e përtejme, religjionet abrahamike (judaizmi, kristianizmi e islamizmi) na ngushëllojnë me hierarkinë e jetës së përtejme, sepse çdo zuzar nuk e meriton parajsën, ndërsa hinduizmi e budizmi na e bëjnë një ofertë tjetër: jetën ciklike, apo përsëritjen e jetës në trajta të reja. Pra, kemi mjaft ngushëllime e oferta të mira sa për t’i dalë jetës në fund të buzëqeshur, sepse, sado të zeza të kemi, “jeta është e bukur”, na sugjeron Roberto Benigni.
EXPRESS: A i frikoheni vdekjes?
Fahredin Shehu: Aspak dhe kjo për shumë arsye. Shpesh them se ai, i cili i frikohet ferrit dhe shpreson parajsën është besimtar, por ai, i cili ka kaluar nëpër këto është shpirtëror. Të parët i frikohen vdekjes nga injoranca. Të dytët dashurohen nga cytja për ta njohur të përtejmen.
Edhe fizikisht edhe metafizikisht, materia as nuk shtohet e as nuk humbet por kalon nga një trajtë në trajtën tjetër, andaj energjia e cila e nget makinën biologjike të trupit, kalon në trupin tjetër, më suptil pas ndërrimit të..., respektivisht përfundimit të jetës me vdekje.
Ag Apolloni: Jo. Një filozof mungesën e frikës nga vdekja e ka arsyetuar kështu: “Kur jam unë, nuk është vdekja. Kur vjen vdekja, nuk jam unë”. Mua do të më pëlqente të luaja shah me vdekjen si te filmi i Bergmanit, ose të luanim letra si te drama e Woody Allenit dhe ta dëboja jashtë me hile si në një komedi timen. Sinqerisht, vdekja nuk më tmerron, sepse kam njohur njerëz më frikacakë se unë që tashmë kanë vdekur. Më kujtohet një shok i gjyshit tim që vetëm po t’ia përmendje vdekjen, ai dilte nga dhoma. Ai nuk kishte pasur guximin të vinte as në varrimin e gjyshit tim, por para pak vjetësh kuptova se edhe ai, më në fund, kishte “guxuar” të vdiste. Kur vdesin edhe frikacakët e tillë, pse u dashka të kemi frikë ne “trimat”?
EXPRESS: A besoni në jetën e përtejme?
Fahredin Shehu: Absolutisht, pa asnjë dyshim. Përndryshe jeta nuk do të kishte asnjë kuptim. Në shkrimet e mia kam potencuar se... Mendimet më shkojnë në pakufi e çdoherë mbetem në mes. Ne faktikisht jemi në mes në çdo aspekt. Nga 400- 800 nanometra, për shembull, ne e perceptojmë spektrin e dritës, çka është nën 400 nanometra ëshët infra e kuqe dhe çka është mbi 800 nanometra është ultravjollcë. Në të dy ekstreme qoftë nën 400 apo mbi 800, për syrin tonë nuk është e perceptueshme, prandaj jemi në mes. Kjo po ashtu aplikohet edhe në vullnetin e lirë, kur e shfrytëzojmë logjikën, pra ne mund të logjikojmë vetëm në suazat e determinuar paraprakisht nga një dorë supreme, por e gjithë kjo është në mes, dhe në mënyrë të patjetërsueshme na dikton të kemi parasysh se nuk do të thotë se nëse nuk shohim apo nuk dëgjojmë ato krijesa, energji, gjëra etj. ato nuk ekzistojnë.
Një matematikan më pat pyetur, si mund të besosh në Zot kur ai është i padukshëm dhe nuk ekziston dhe përgjigjja ime ishte, po ti si matematikan i cili çdo gjë mat me saktësi dhe Matematika ëshët shkenca më ekzakte, si ia lejon vetës mundësinë që në matematikë të ketë plus minus Infinitiv apo numër Imagjinar apo irracional. Nëse një shkencë si matematika lejon që të ketë një numër imagjinar pse një shkencë si metafizika apo shpirtnia mos ta ketë të drejtën që së paku të imagjinojë ekzistencën e Perëndisë dhe me këtë edhe të botës së përtejme.
Ag Apolloni: Jam shkrimtar spiritual, madje me ca tendenca spiritiste. Më shumë merrem me shpirtra se me trupa. Kështu që, mundohem ta balancoj mendjen time mes kësaj bote dhe asaj tjetrës. Zakonisht kur flas për këtë botë, flas në mënyrë dëftore, ndërsa kur flas për botën tjetër, flas në mënyrë dëshirore. Jam si Shën Thomai, nuk besoj pa vënë dorë në plagë, por sinqerisht do të doja që vdekja të mos ishte fundi ynë. Kam njerëz andej që, kur të vdes, do të doja t’i takoja qoftë edhe njëherë: gjyshin, babën dhe vëllanë. Gjyshit do t’i thosha “pse nuk më more me vete”, babanë do ta kisha ftuar për drekë dhe do të kisha paguar unë, kurse vëllait do t’i thosha “mirë që s’ndejte gjatë këndej, se edhe unë, në fund të fundit, u dorëzova”. Bota e përtejme duhet të ekzistojë dhe dëshira ime është të shkëmbehen njerëz mes këtyre dy botëve. Sa shumë do të doja që disa njerëz të asaj botë të ishin këndej, e disa të kësaj bote të ishin andej! Vetëm kështu do të kishim një botë më të mirë.