E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo demokracis

• Edmond TupjaBesoj se më lejohet që, si pedagog në Universitetin e Tiranës, të jap, duke u nisur nga disa vëzhgime krejt të paanshme, pra objektive, dy-tri mendime lidhur me zgjedhjet për drejtues në të gjitha instancat e universiteteve publike shqiptare. Gjatë ditës së zhvillimit  të këtyre zgjedhjeve, më 10 të këtij muaji, në kronikat e realizuara nga një numër kanalesh televizive në disa qendra votimi, u shtrua pyetja nëse këto zgjedhje po zhvilloheshin normalisht. Kronisti që shtronte pyetjen, me sa dukej, harronte që nuk bëhej fjalë për zgjedhje politike, parlamentare apo vendore qofshin, por për zgjedhje universitare, ku duhej të votonin vetëm stafet akademike, personelet joakademike dhe studentët. Pra, nuk kishte asnjë arsye që të kishte parregullsi, manipulime votash, falsifikime dokumentesh apo mashtrime të ndonjë lloji tjetër. Kështu që, të paktën për sa i përket majës së ajsbergut, këto zgjedhje nuk mund të zhvilloheshin veçse me një rregullsi shembullore. Dhe kështu ndodhi.Gjithsesi, të bën përshtypje fakti që në disa fakultete pati vetëm një kandidaturë për dekan dhe kjo kandidaturë e vetme mori një numër të madh votash. Deri këtu, gjithçka duket në përputhje të plotë me rregulloren. Por logjika morale, ajo që shkon më larg, më lart, më drejt se ajo e rregulloreve, sado të përkryera të jenë ato, të detyron të shtrosh një pyetje. Të thjeshtë fare. Kur paraqitet vetëm një kandidaturë në një proces zgjedhor, a kemi vërtet zgjedhje? Sepse, normalisht, kemi zgjedhje kur ka mundësi zgjedhjeje, pra, të paktën dy kandidatura. Dikush nga autoritetet më të larta të Universitetit të Tiranës, zgjedhjen e pashmangshme të këtyre kandidaturave të vetme për dekan i quajti si zgjedhje konsensuale, duke anashkaluar karakterin e tyre plebishitar (Në dy-tri nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, kandidaturat e vetme për dekan morën mbi 90 % të votave; po të kishin marrë edhe 9,99 % të tjera do të na kishin nxjerrë mallin e kohës së diktaturës komuniste!). Nga ana tjetër, historia na mëson se zgjedhjet me një kandidaturë të vetme janë tipike plebishitare dhe analet e ngjarjeve politike madhore të dy-tri shekujve të fundit dëshmojnë se zgjedhje të tilla kanë çuar, fatkeqësisht jo rrallë, në vendosje regjimesh autoritariste, madje edhe me prirje totalitare, pra, diktatoriale. Kështu, në Francë, pas grushtit të tij të shtetit të 2 dhjetorit 1852, nipi i Napoleonit I, falë një plebishiti, u bë perandor i francezëve. Në Gjermani, në vitin 1934, pas vdekjes së Hindenburgut, Hitleri, falë një plebishiti ku fitoi 90 % të votave, u shpall president dhe kancelar i Rajhut, duke u ngritur në rangun e Fyhrerit, domethënë të Shefit, Kryetarit, Timonierit absolut. Dhe këtu nuk po përmend, si ilustrim më të freskët, më pranë nesh në kohë, demokracitë plebishitare autoritariste në disa ish-republika të Bashkimit Sovjetik, ku presidentët zgjidhen me mbi 90 % të votave.Por, po të hedhim një sy poshtë majës së ajsbergut të zgjedhjeve universitare të para disa ditëve, do të vëmë re se edhe ato janë zhvilluar sipas modelit të zgjedhjeve politike, pra, duke u nisur jo nga demokracia e dijes, por nga ajo e opinionit. Kështu, pati përpunim të opinionit studentor, sepse pedagogë të caktuar, madje edhe kandidatë për përgjegjës departamenti, u thoshin studentëve, gjatë orës së mësimit, të votonin për këtë apo atë kandidat për dekan apo për rektor; disa autoritete të deleguara ushtronin trysni mbi pedagogë të rinj për t’ua orientuar atyre votën në drejtim të kësaj apo asaj kandidature. Po kështu, në mjediset universitare, gjatës fushatës zgjedhore, u krijuan grupime e aleanca të papërfytyrueshme para kësaj fushate. Këto aleanca, disa prej të cilave kolegu dhe miku im i ri Françesk Armadhi mori guximin t’i quante haleanca, bashkuan njerëz me parime të ndryshme, madje edhe të kundërta, me qëllim, objektiv e synim të vetëm zgjedhjen e tyre me çdo kusht në këtë apo atë post drejtues. Ky kopjim i pamaskuar gjatë zgjedhjeve universitare i modelit jo më të mirë të zgjedhjeve politike është deri diku i frikshëm. I frikshëm jo për mua e disa të tjerë si unë që nuk kanë ndonjë gënjeshtër të ëmbël për të humbur duke e thënë hapur të vërtetën e hidhur, por i frikshëm për të ardhmen e universiteteve tona, për të ardhmen e pedagogëve e të studentëve tanë. I frikshëm sepse, ditën kur në universitetet tona demokracia e opinionit do ta zëvendësojë krejtësisht e përfundimisht demokracinë e dijes, fakultetet do të kthehen në principata ku do të lulëzojë dukuria që Napoleoni III e quante me mburrje “cesarizëm demokratik” ose që, me largpamësi, filozofi, kolegu dhe gjithsesi miku im Artan Fuga e ka quajtur “diktaturë të dekanatit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›