E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jo riekspertim për “Gërdecin”, gjykata rrëzon kërkesën, reagon Mediu: I zhgënjyer nga drejtësia e re

Gjykata Antikorrupsion rrëzoi kërkesën e ish- Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për një riekspertim pjesor të kostos së demontimit të municioneve në fabrikën e Poliçanit, e cila do shërbente për të krahasuar dëmet ekonomike të pretenduara nga SPAK për Gërdecin.

Sipas mbrojtjes kjo do të provonte se përsa kohë në të dyja rastet procedura e demontimit dhe kostoja është e njëjta, nuk mund të ketë dëm ekonomik.

Nëse kjo do të pranohej Mediu do zhvishej nga akuza e shpërdorimit të detyrës. Sipas ekipit ligjor të ish- zyrtarit ekspertiza e paraqitur në Gjykatë të Posaçme, nga pesë ekspertët kontabël nuk vlen për zbardhjen e së vërtetës, por është në funksion të prokurorisë.

“Ky akt ekspertimi është nul për faktin se vetë ekspertët kanë deklaruar që nuk kanë qenë ekspertë, por janë çuar për të ndihmuar prokurorinë. Kjo u justifikua me faktin që këta janë ekspertë me dije shkencore. Por u provua që nuk kanë asnjë dëshmi që të jenë me dije shkencore. Nuk kanë asgjë në njohjen e tyre profesionale me procesin e demontimit. Ajo që është me e rëndë është se nuk kanë vlerësuar asnjë proces demontimi”, tha Mediu.

I pandehuri, Fatmir Mediu nuk e fshehu zhgënjimin nga drejtësia e re, që sipas tij nuk është në lartësinë e një vendi anëtar të Aleancës Veriatlantike.

“Do qëndrojmë, s’kemi ça bëjmë. Gjykata e Posaçme, a duhet të lexojë kodin e procedurës, duhet të lexojë ligjin, kodin penal. Kemi shpresuar të kemi një drejtësi si vend anëtar i NATO-s, jo kohën kur brohorisnim tradhtarin në litar se kështu e kërkonte partia. Nëse partia ka vendosur se Fatmir Mediu duhet të jetë viktima e radhës, atëherë të na rrojë partia”, tha ai.

Avokatët kërkuan sot që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit gjyqësor një memo me kundërshtimet e tyre. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›