E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo vetëm vapë, por edhe stuhi. Europa u godit këtë javë nga reshjet e shiut dhe breshëri

Europa ndodhet në kulmin e valës së fundit të të nxehtit që ka përfshirë kontinentin, ndërsa disa vende u goditën këtë javë nga stuhi të forta, reshje intensive dhe breshër.

Reshjet e dendura dhe erërat e fuqishme përfshinë Francën, Gjermaninë dhe Poloninë. Qytetarë në Francë raportuan në rrjetet sociale se kokrrat e breshrit arritën deri në 7 centimetra në juglindje të vendit, duke dëmtuar automjete, ndërtesa dhe vreshta. Si pasojë e stuhive, dy persona humbën jetën.

Ndërsa stuhitë janë një dukuri e zakonshme gjatë verës, sidomos gjatë ose pas valëve të të nxehtit, temperaturat vijojnë të mbeten shumë të larta në të gjithë kontinentin.

Spanja vazhdon të jetë nën kërcënimin e zjarreve, ku vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve në verilindje të vendit. Deri tani janë shkrumbuar të paktën 14 mijë hektarë pyje.

Ndërkohë, 13 persona, mes tyre shtatë shtetas britanikë dhe një amerikan, humbën jetën nga një tjetër zjarr që përfshiu krahinën jugore të Andaluzisë, duke shkatërruar rreth 7 mijë hektarë sipërfaqe pyjore.

Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, kanë rritur intensitetin dhe shpeshtësinë e fenomeneve ekstreme të motit. Sipas tyre, temperaturat gjithnjë e më të larta krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve dhe e bëjnë më të vështirë vënien e tyre nën kontroll.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›