E Diel, 1 Nëntor 2026

Johndroe: Shqipëria në NATO, hyrje e merituar

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Gordon Johndroe deklaroi se SHBA-të janë tejet të kënaqura për hyrjen e merituar të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, por sipas tij më në fund pritet edhe anëtarësimi i Maqedonisë.

Johndroe këtë e deklaroi për agjencinë kroate të lajmeve HINA, duke paralajmëruar se Senati amerikan sa më shpejt do të ratifikojë Protokollin për hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut Verior.

“Këto janë dy vende që kanë merituar respekt dhe të drejtën për të qenë në NATO dhe ne jemi shumë të kënaqur që ato na janë bashkangjitur”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të presidentit amerikan Xhorxh Bush.

Sipas tij, presidenti Bush ka përshëndetur gjithashtu hyrjen e dy vendeve në NATO, duke pritur më në fund edhe hyrjen e Maqedonisë.

Shqipëria dhe Kroacia të mërkurën firmosën në Bruksel Protokollin për anëtarësim në NATO. Pas nënshkrimit të këtij dokumenti që duhet të ratifikohet nga vendet anëtare, Shqipëria dhe Kroacia do të mund të marrin pjesë në punimet e Këshillit të Atlantikut Verior dhe organet e tjera të kësaj organizate, por nuk kanë të drejtën e votës. (M.P/INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›