Jole: 15 mjete të rënda në riparimin e argjinaturës së Devollit

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Me kërkesën e Prefekturës Korçë, Ministria e Mbrojtjes vuri në dispozicion mjete vetëshkarkuese për të mundësuar mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll.
Argjinatura u dëmtua si pasojë e reshjeve intensive dhe prurjeve të larta gjatë këtij muaji.
Prefekti Nertil Jole tha se koordinimi institucional është në proces dhe se është siguruar mbështetja e nevojshme nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Ujitje dhe Kullimit Korçë, Bashkia Maliq dhe subjektet private.
Drejtoria Rajonale e Kullimit Korçë ka nisur punën për zënien e çarjes së argjinaturës së Lumit Devoll, si masë emergjente për parandalimin e rrezikut nga përmbytjet. Në këtë operacion të vështirë janë angazhuar mbi 15 mjete të rënda. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe temperaturave nën zero, puna po vijon pa ndërprerje me qëllim stabilizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë për zonat e rrezikuara.
Ende nuk jepet një afat për përfundimin, duke qenë se varet nga kushtet e motit dhe ecuria e punimeve. /j.p/
1 nga 4