E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jovanoviç: Serbët të heqin barrikadat

Politika dhe të gjitha institucionet e tjera relevante në Serbi duhet që sot, pa justifikim, vonesa dhe zhvendosje të përgjegjësisë, që të ftojnë serbët në veriun e Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat, në mënyrë që të mënjanohet ndërhyrja e KFOR-it dhe vuajtjet e njerëzve, ka thënë lideri i Partisë Liberal Demokratike të Serbisë, Cedomir Jovanoviç.

"Për vite me radhë, e më brutalisht në muajt e kaluar, këta njerëz janë pengje të politikës hipokrite të abuzimit. Nëse dështon racionaliteti, serbët e Kosovës do të jetë viktimat e fundit të kësaj politike, siç kanë qenë, për shkak të politikave kombëtare të viteve 90, serbët nga Kroacia dhe Bosnja”, ka thënë Jovanovic për mediat e Beogradit.

"Nuk ka më fshehje prapa parullave patriotike se Serbia nuk ka të drejtë t`ia lërë fatit serbët e Kosovës. Prandaj, njerëzit duhet  të largohen nga barrikadat e rrezikshme dhe të ndihmojnë në vënien e rendit, të sigurisë dhe ligjit në veri, sepse në ndonjë kaos të ri serbët thjesht do të zhduken” ka theksuar Jovanoviç.

Jovanoviç ka thënë se Serbia në të njëjtën kohë duhet të shpallë një qasje ndryshe, ta pranojë Planin Ahtisaari si zgjidhje kalimtare, të shfrytëzojë të gjitha garancionet nga dokumenti për statusin e mbrojtur të popullit serb në Kosovë dhe të drejtave të veçanta për mjediset në të cilat serbët janë shumicë, dhe për këtë të fillojë negociatat me Prishtinën.

"Serbët nuk kanë dalë vetëm në barrikada. Në këtë i kanë shtyrë politikanët e papërgjegjshëm dhe tregtarët e dyshuar, prandaj ndërhyrja e paralajmëruar e KFOR-it duhet të shmanget në çdo mënyrë. Për këtë nuk mund të vendosin takimet e përbashkëta të kryetarëve dhe këshilltarëve të komunave nga veriu i Kosovës, sepse më të zëshëm janë ata që kanë nxitur barrikadat” ka theksuar Jovanoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›