E Diel, 1 Nëntor 2026

Judah: Situata në veri mund të zvarritet

Përderisa Kosova nuk arrin t’u mbush mendjen serbëve të veriut se do të merren parasysh dhe se do të mbrohen interesat e tyre në Kosovë, kjo situatë mund të zvarritet deri në pafundësi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publicisti britanik Tim Judah.

Sipas tij është e nevojshme një zgjidhje politike, “përndryshe s’do të ketë asnjëherë ndonjë zgjidhje”. Por, ai pohon se nuk pret që do të ketë bisedime serioze për një kohë mjaft të gjatë, meqë Serbia ka nisur tani një cikël dhe është e mundshme që Kosova të nis një cikël zgjedhor më vonë këtë vit. “Andaj, do të humbet shumë kohë dhe nuk pres që këtë vit të ndodhë ndonjë gjë në këtë drejtim”.

Në pyetjen se a do të duhej të ishin bisedimet për veriun bisedime të veçanta apo do të duhej të zhvilloheshin në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Judah thotë se nuk ka lidhje se në çfarë formati të mbahen ato. "Për momentin ekziston një format që është dialogu i BE-së, por mendoj se nëse Beogradi e Prishtina duan ta zhvillojnë vetëm ndërmjet vete, atëherë mund ta bëjnë këtë. Nëse jo, atëherë duhet të ndërmjetësojë dikush. Sot, ekziston një format, por nuk do të thotë se ai duhet të mbetet i tillë përgjithmonë apo jo”.

Supozoj se në njëfarë mënyre Prishtina duhet të t’i bind serbët e veriut se do të merren parasysh interesat e tyre në Kosovë, ka thënë Judah.

“Përderisa Kosova nuk arrin t’u mbush mendjen serbëve të veriut se do të merren parasysh dhe se do të mbrohen interesat e tyre në Kosovë, kjo situatë mund të zvarritet deri në pafundësi. Por, situata nuk mund të mbetet e tillë përgjithmonë”, thotë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›