E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Juliana Pasha në “Këngë moj”, skena ndizet nga interpretimet e artistes dhe miqve të saj nga Kosova

Muzika e zgjedhur preku sërish thuajse të gjitha trevat e vendit nën interpretimin e këngëtares Juljana Pasha mbrëmjen e së enjtes në ekranin e Vizion Plus.

Një natë plot emocione  ku përreth dy orë jo vetëm artistët e skenës, por dhe publiku dhuruan një atmosferë magjike.

Për artisten Juljana Pasha ky është një nga momentet më kulmore të karrierës së saj artistike.

“Unë jam kënaqur sa herë që kam qenë pjesë e “Këngë moj”, e kam si shtëpinë time të dytë. Fakti që pjesa më e madhe e orkestrës janë familjarët e mi janë bendi që unë përforcoj gjithmonë është një emocion i veçantë. kjo natë që më dedikohet mua është një moment shumë me përgjegjësi, pasi çdo artist ka një moment kulmor në karrierën e tij, për mua është kjo natë”, tha pasha.

Në skenën e vetme, ku përcillen këngët më të njohura popullore e qytetare, po ashtu dhe muzika e lehtë, nuk munguan as miqtë nga Kosova.

“Juljanën e kam përcjell dhe e kam dash gjithmonë. me të njihemi ka kohe deh çfarë të flas për Julin. ajo e zotëron në mënyrën më të mirë skenën dhe e pëlqej vokalin dhe energjinë e saj”, tha Remzie Osmani.

Ashtu siç është kthyer tashmë në një traditë në këtë edicion të Këngë Moj, të ftuarit e mbrëmjes ishin emra të njohur të skenës. Një pjesë e të cilëve kanë ndjekur Juljanën që në hapat e saj të parë në rrugën e muzikës.             

“Që kur e kam parë për herë të parë Juljanën, unë me eksperiencën që kisha në art dhe skenë menjëherë e përcaktova që ajo do ishte një artiste e madhe. por asaj nuk i mjaftoi vetëm talenti pasi ajo është shumë kërkuese ndaj vetes e të jesh një artiste e madhe nuk mjafton vetëm talenti, por duhet edhe shumë punë”, u shpreh Irini Qirjako.

Mbrëmja e Juliana Pashës rivjen në ekranin e Vizion Plus të premten dhe të shtunën përmes ritransmetimit, ndërsa e enjtja e javës tjetër do të sjellë në skenë një nga emrat më të njohur të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›