E Shtunë, 7 Nëntor 2026

KAJRO – Egjipti mbështet çështjen e gjenocidit kundër Izraelit në GJND

KAJRO, 12 maj /ATSH-DPA/- Egjipti njoftoi sot se do të mbështeste çështjen e gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), një shenjë zhgënjimi për shkak të operacionit ushtarak izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, që kufizohet me Egjiptin.

Ministria e Jashtme egjiptiane tha në një deklaratë se masa vjen duke pasur parasysh intensitetin dhe shkallën e sulmeve izraelite kundër civilëve në Gazë dhe kryerjen e vazhdueshme të praktikave sistematike kundër palestinezëve, duke përfshirë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës.

Egjipti ishte vendi i parë arab që nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1979, por fushata ushtarake në Gazë ka ndezur ndjenjat anti-izraelite në vendin më të populluar të botës arabe.

Më herët gjatë javës, Izraeli mori nën kontroll pikën kufitare të Rafahut me Egjiptin, një operacion që ka ndaluar dërgesat e ndihmave humanitare përmes objektit jetësor në brezin e populluar.

Kajro është gjithashtu i shqetësuar se një inkursion i madh izraelit në Rafah, i mbushur me refugjatë që ikin nga luftimet në Gazë, do të shkaktonte një eksod masiv në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Izraeli e konsideron Rafahun bastionin e fundit të grupit islamik palestinez Hamas, i cili shkaktoi vdekjen e qindra civilëve në Izrael në tetor të vitit të kaluar.

Stacioni televiziv shtetëror i Egjiptit al-Qahera News, duke cituar një burim të nivelit të lartë, raportoi se Kajro ka refuzuar të koordinojë me Izraelin dërgimin e ndihmave në Gazë përmes pikës së kalimit në Rafah për shkak të “përshkallëzimit të papranueshëm te konfliktit”.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›