KANADA – Trudeau: Kundërpërgjigje të menjëhershme ndaj tarifave amerikane

OTAVA, 1 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka kërcënuar një “përgjigje të fuqishme dhe të menjëhershme” nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me një tarifë 25% për mallrat kanadeze, që do të hyjë sot në fuqi.
“Askush – në asnjërën anë të kufirit – nuk dëshiron të shohë tarifat amerikane për mallrat kanadeze”, shkroi dje Trudeau në X.
“Unë u takova me Këshillin tonë Kanada-SHBA sot. Ne po punojmë shumë për të parandaluar këto tarifa, por nëse Shtetet e Bashkuara ecin përpara, Kanadaja është gati për një përgjigje të fuqishme dhe të menjëhershme”, tha Trudeau.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt konfirmoi të premten se tarifat 25% për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika do të hyjnë sot në fuqi, së bashku me një tarifë prej 10% për produktet kineze./ a.jor.